Për më shumë se 50 vjet aktori dhe regjisori Clint Eastwood ka portretizuar në filma personazhe të forta, detektivë policorë, kaubojsa apo individë të paguar për të kryer misione të vështira.
Në filmin e tij të fundit “The Mule” – “Mushka”, aktori tashmë në të tetëdhjetat, përcjell një imazh më të zbutur duke interpretuar një plak të rënë nga mosha, i cili ka rënë në vështirësi financiare që e detyrojnë të marrë përsipër punën e korrierit të drogës, apo të “mushkës” për një kartel meksikan, siç njihet në zhargonin e trafikantëve të drogës ky funksion.
Korrespondentja e Zërit të Amerikës Penelope Poulou sjell hollësitë:
Asnjë polic nuk do të mendonte se Earl Stone po trafikon drogë. Një plak në dukje i rregullt, i bardhë, nuk tërheq vëmendje. Por megjithëse në dukje i butë, Earl Stone është korrieri kryesor i kartelit dhe transporton miliona dollarë kokainë. Ai ka qenë gjithë jetës në udhëtim, më parë si specialist i hortikulturës (botanist), prandaj di si të gjejë rrugët nëpër Amerikë. Atë nuk e ndalin kurrë për shkelje të rregullores së qarkullimit rrugor dhe arrin të operojë nën hundën e agjentëve të anti-drogës edhe kur rastis në agjentin me eksperiencë Colin Bates, i cili është i dedikuar të kapë trafikantin e famshëm që përflitet shumë por asnjë nuk e ka parë ende.
Bradley Cooper interpreton oficerin Bates. Ai flet për personazhin e interpretuar nga Clint Eastwood.
“Ai është një njeri që ndjek rrugën që ka përpara, përpiqet të ndreqë gabimet që bëri në të kaluarën, përpiqet të gjejë paqe brenda vetes. Do të gjejë një mënyrë për të shpaguar jetën që ka bërë”.
Problemet financiare të personazhit dhe dëshira për të ndrequr gabimet e së kaluarës si dhe shanset që ka humbur me bashkëshorten dhe vajzën me të cilat nuk ka më kontakt, janë në qendër të dramës. Ka mbetur pa para, është ndarë nga familja, prandaj detyrohet të pranojë rolin e korrierit të drogës, jo nga dëshira për para, por nga nevoja për të ndrequr të kaluarën. Në një farë mënyre kjo pasqyron edhe dramën e jetës personale të aktorit.
Iris, vajza e personazhit Earl Stone, interpretohet nga e bija e aktorit, Alison Eastwood, e cila thotë se marrëdhënia me të atin ka pasur plot momente të vështira: “Është një rol i vështirë pasi sot kam një marrëdhënie shumë të mirë me babain. Më është dashur të kujtoj momentet e së kaluarës kur nuk isha e lumtur me të dhe ta shfrytëzoj atë ndjenjë pasi personazhi im është shumë e vrarë dhe e zemëruar”.
Earl Stone përpiqet të kompensojë për kohën e humbur me familjen, por agjentët janë hap pas hapi në ndjekje të tij. Shtohet presioni si nga agjentët, ashtu edhe nga operatorët e kartelit. Paratë që fiton nga trafiku bëhen problem në vetvete. Sa më shumë që ai dhuron, aq më shumë shtohen dyshimet.
“Ai bëhet një lloj Robin Hudi pasi paratë i fiton në mënyrë të paligjshme, por ua jep të tjerëve që kanë nevoja”, thotë aktori Eastwood duke përshkruar personazhin që interpreton.
Filmi ka një fill pozitiv që e përshkon subjektin duke romantizuar lidhjet e personazhit me njerëzit që ndihmon, por ka zgjuar shumë kritika pasi nuk pasqyron ndikimin shkatërrimtar të karteleve dhe të drogës tek shoqëria./VOA