Sport Roma feston me dy “perla” të Nainggolan, Interi e sheh Europën më...

Roma feston me dy “perla” të Nainggolan, Interi e sheh Europën më larg

Roma ka mundur Inter në “San Siro” me rezultatin 3:1 në një ndeshje emocionuese.

Ishin miqtë ata që kaluan të parët në avantazh me super golin e Nainggolan, i cili bën të njëjtën gjë edhe në pjesën e  dytë.

Goli i Icardi-t i dha shpresë zikaltrëve, por pak minuta më pas Perotti siguron fitoren për Roma-n nga pika e bardhë e penalltisë.

Me këtë fitore Roma mban ritmin e Juventus, ndërsa zona e Champions League bëhet më e vështirë për Inter.

Ndeshja

Ndeshja fillon me miqtë e udhëtuar nga kryeqyteti që ushtrojnë presion të madh ndaj prapavijës së Inter dhe detyrojnë zikaltrit të bëjnë shumë gabime elementare në pasime të thjeshta. Ekipi i Spalletti-t është i organizuar në mënyrë të përsosur duke ia vështirësuar punën lojtarëve të Inter. Kishte minuta të tëra që mbante era gol dhe Radja Nainggolan shënon një perlë të vërtetë në minutën e 12-të.

Inter bëhet akoma më konfuz pas golit të pësuar teksa Roma arrin të krijojë aksione të rrjedhshme dhe si pasojë të jetë tepër e rrezikshme në zonën e Inter duke pasur mundësi të tjera për të shënuar.

Lojtarët e Inter marrin veten disi në fund të pjesës së parë, por është tepër vonë dhe ekipet shkojnë në dhomat e zhveshjes me misione të ndryshme, Roma për të mbrojtur rezultatin ndërsa Inter për të përmbysur.

Pjesa e dytë nis me një përmirësim të vendasve por është Roma që dyfishon rezultatin kur pas një kundërsulmi Radja Nainggolan godet sërish nga distanca duke shpuar për të dytën herë duart e Handanovic.

Inter hidhet në sulm dhe krijon disa mundësi shënimi, por zikaltrit janë të pasaktë përpara portës.

Në minutën e 80-të vendasit japin një shenjë jete kur Icardi shtyn në portë një top të goditur nga Perisic.

Por Tagliavento bëhet protagonist duke akorduar një penallti kundër Inter dhe është Perotti ai që e shndërron në gol duke mbyllur gjithçka.