Cristiano Ronaldo vijon të mbetet temë më vete në Botërorin e Katarit. Ylli portugez e nisi nga stoli ndeshjen ndaj Zvicrës dhe u aktivizua vetëm në minutën e 73-të, në vend të Joao Felix.
Pas sfidës me “Helvetët”, Santos theksoi se Ronaldo e pranoi stolin. Gjithsesi, sjellja e sulmuesit lë “hije dyshimi”, pasi në ditën e sotme, Ronaldo nuk ka pranuar të stërvitet me ekipin e rezervave që zbritën në fushë për të marrë ngarkesë të plotë ndryshe nga futbollistët që luajtën një ditë më parë.
37-vjeçari, vendosi të stërvitej në palestër aty ku ishte edhe pjesa tjetër e skuadrës titullare, ndoshta si një mesazh që të gjithë ta kuptojnë se stoli nuk është më një opsion për të dhe se ai e konsideron veten një lojtar startues.
Cristiano Ronaldo kishte 31 ndeshje radhazi nëpër turnetë e mëdha (Europian dhe Botëror) që luante titullar me Portugalinë, derisa dje Fernando Santos vendosi ta linte në stol. Hera e fundit që kishte ndodhur kjo, ka qenë në vitin e largët 2008.
Sfida e radhës për Portugalinë është ajo ndaj Marokut, që në rast suksesi garanton një biletë për në gjysmëfinalen e Kupës së Botës ndërsa trajneri Santos ndjen presionin e përzgjedhjes 11-tëshes titullare.