Cristiano Ronaldo ka dhënë një deklaratë të fortë në lidhje me të ardhmen e tij. Ai duket se paralajmëron fansat se mund të largohet shpejt nga futbolli. Portugezi e pranon se është ende shumë i lidhur me këtë sport, por gjithçka mund të ndodhë në të ardhmen.
“E dua ende futbollin. Më pëlqen të argëtoj fansat dhe njerëzit që duan Cristiano Ronaldon. Në 5 vitet e fundit kam filluar të shoh veten jashtë futbollit, shpejt ose më vonë, kush e di se çfarë do të ndodhë pas një viti ose dy?”
Ronaldo ka treguar dhe dëshirat e tij për të ardhmen. Ai e sheh veten në fushën e biznesit dhe e pranon se nuk është ende aty ku duhet. “Më ka marrë shumë vite punë të lodhshme, dedikim dhe pasion për të arritur sukseset që kam në futboll. Jashtë futbollit nuk jam ende në atë nivel, sigurisht, por jam një djalë që nuk i pëlqen të jetë numri dy ose tre. Gjithmonë dua të jem numri një. Ajo që më motivon mua më shumë është presioni. Duhet të dish si ta përballosh dhe të kesh besim në vete”, – tha Ronaldo ndër të tjera.