Nuk dukej një strategji e programuar dalja e tij nervoze nga fusha e lojës të dielën në mbrëmje, në përfundim të duelit me Napolin, kur ai iu kthye qartazi Masimiliano Alegrit duke kërkuar një shpirt më ofensiv nga ana e Juventusit. Por e vërteta është se Kristiano Ronaldo prodhoi më shumë sesa thjesht një reagim të vogël, mbi ndërgjegjen kolektive të skuadrës dhe ndoshta, edhe në mendimet e trajnerit bardhezi, ka ardhur natyrshëm pohimi që i jepte të drejtë CR7-ës, në lidhje me “analizën” e shkurtër, por më shumë sesa të qartë.
Diçka të tillë madje, pra të kërkojë një skuadër më ofensive në fushë, e cila kurrsesi nuk duhet të vazhdojë të përsërisë “sindromën” e të tërhequrit shumë metra prapa në pjesën e dytë, ylli portugez e ka shfaqur disa herë në fushë me gjeste të qarta, madje disa herë u inkuadrua edhe nga kamerat e pranishme në “Vanda Metropolitano” kundër Atletikos së Madridit, ndeshja e vitit për bardhezinjtë, e cila të paktën në raundin e parë ofroi një fund shumë të hidhur. Por me sa duket, ulërimat e Ronaldos për të kërkuar një skuadër të hedhur të gjithën në sulm, nuk janë ndalur vetëm në hyrje të tunelit të stadiumit “San Paolo”, pasi siç referon e përditshmja “TuttoSport”, nuk është se mes futbollistit dhe trajnerit Alegri ka shpërthyer papritur një pakënaqësi e mundshme, por vetë 34-vjeçari ka vendosur që të vishet në rolin e trajnerit të dielën në mbrëmje, pas mbërritjes në dhomat e zhveshjes.
Kristiano Ronaldo ka marrë fjalën si lider i ri i skuadrës dhe u ka ulëritur të gjithëve shokëve të skuadrës. Mes portugalishtes dhe spanjishtes së përdorur, koncepti ka qenë shumë i qartë për të gjithë juventinët: “Nevojitet të luajmë në sulm, të mos tërhiqemi në asnjë sekondë dhe të mos rreshtim së sulmuari portën kundërshtare. Nëse duam që të përmbysim Atletikon, duhet të sulmojnë deri në pikën e fundit të energjive tona”.
Sigurisht që dikush mund të ketë mbetur i befasuar, pasi ndër vite është mësuar që të tilla fjalë të dalin nga goja e gardës së vjetër, si Barzalji, Kielini apo Bonuçi, pas largimit të Bufonit.
Por Ronaldo nuk është vetëm lojtari më i fortë në botë, por edhe një fitues i pangopur, prandaj pasi e “konsumoi” idenë e tij me Alegrin në dalje nga fusha, kërkoi që konceptin e tij t’ia bëjë të qartë edhe pjesës tjetër të skuadrës, e cilat duhet parë se sa është karikuar nga ulërimat postNapoli të CR7.