Gjykata e Posaçme ka dënuar me 10 muaj burg ish-zv.ministren e Brendshme, Rovena Voda.
Ish-zyrtarja u fajësua për “ndikim të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Voda nuk shkon në qeli, pasi është gjykuar në masën e “arrestit në shtëpi” dhe vendimi nuk është i formës së prerë.
SPAK kishte kërkuar një vit burg për ish-zv.ministren dhe përjashtimin e saj nga ushtrimi i funksioneve publike për një periudhë 3-vjeçare.
E njëjta masë dënimi u dha nga Gjykata edhe për të bashkëpandehurat e saj, Majlinda Hasani e Florida Beu.
Voda u shpall fajtore për shkak se kishte pranuar vlera monetare për të ndikuar në punësimin e Beut në ministri. Referuar hetimit të Prokurorisë së Posaçme, mes Vodës, Beut dhe Majlinda Hasanit janë realizuar tre takime në shkurt-mars 2020 në Ministrinë e Brendshme dhe në Durrës.
Ato janë përgjuar teksa flasin për dhënien e një zarfi me 1 mijë euro Vodës dhe janë filmuar në një bar në Durrës, teksa i japin zv.ministres një aparat celular. Lidhur me episodin e tretë, SPAK thotë se Voda ka shkuar në port me automjetin e Ministrisë së Brendshme që mbante si zyrtare e lartë dhe shoferin e saj për të marrë një arkë me peshk.