Policia e Lezhës ka arritur të zbardhë ngjarjen e datës 30 nëntor të këtij viti ku u dhunua, duke u goditur me sende të forta, Drejtori i Njësisë së Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Edmir Përndreca.
Si autor të dyshuar të ngjarjes janë shoqëruar në polici 5 persona, ku për tre prej tyre është prerë fletë arresti.
Ndalimi i tyre u bë në orët e para të mëngjesit të së mërkurës me urdhër të Prokurorisë së Lezhës, e cila pas veprimeve intensive hetimore arriti të identifikojë dhunuesit, emrat e të cilëve ende nuk janë bërë të ditur.
43-vjeçari ka qenë duke lëvizur me makinë kur është goditur nga mbrapa nga një automjet tjetër në Tale të Lezhës.
Pas goditjes, drejtuesit e automjeteve janë përfshirë në konflikt si dhe dy pasagjerët e automjetit tjetër, të cilët e kanë dhunuar fizikisht.
Ai pësoi fraktura të shumta dhe u dërgua në spitalin e Traumës në Tiranë.
“Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë së Lezhës, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, mbështetur në inteligjencën informative, kanë vijuar hetimet me metoda proaktive, në kuadër të operacionit policor të koduar “Fundviti”, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur më 30 nëntor 2022, në aksin rrugor “Shënkoll-Lezhë”, ku u dhunua fizikisht shtetasi E. P., 43 vjeç, me detyrë drejtor i OSHEE, Lezhë. Si rezultat i operacionit “Fundviti”, u identifikuan, u kapën dhe u ndaluan shtetasit L. P., 27 vjeç dhe S. M., 27 vjeç, të dy banues në Lezhë, për veprat penale “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Plagosja e rëndë me dashje”. Nga veprimet hetimore rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, fillimisht i kanë dëmtuar automjetin shtetasin E. P., gjatë lëvizjes, dhe më pas e kanë goditur atë, për shkak të detyrës, duke i shkaktuar dëmtime fizike. Shërbimet e Policisë sekuestruan në cilësinë e provës materiale, automjetin e përdorur nga 2 të arrestuarit, për kryerjen e kësaj ngjarjeje”, deklaroi Policia e Lezhës.