Aktualitet Berisha: Me ligjin e ri për Arsimin e Lartë, Rama do t’i...

Berisha: Me ligjin e ri për Arsimin e Lartë, Rama do t’i japë goditjen përfundimtare universiteteve

Kryedemokrati Sali Berisha në një takim me pedagogë, arsimtarë dhe intelektualë pasditen e sotme deklaroi se një mbledhje e tillë vjen në një moment kur kjo qeveri me në krye Edi Ramën, me vendimin e fundit, po i jep një ‘colpo di gracia’ universiteteve, arsimit të lartë në Shqipëri.

Ai tha se i nisur nga një refleks armiqësor ndaj arsimit të lartë, trupës pedagogjike, e studentëve, në këto vite të qeverisjes, universitetet e vendit kanë pësuar ndryshime të rënda, në çdo aspekt të tyre.

“U godit liria akademike, kushti i të gjitha kushteve që një universitet të funksionojë, të përmbushë misionin e tij. Shprehje e goditjes së lirisë akademike janë të shumta, por ata kulmuan kur Edi Rama vendosi të caktojë me bandën më të rrezikshme të Tiranës, rektorin e universitetit.

Kjo nuk ka ndodhur ndonjëherë të paktën 3 shekujt e fundit. Ky akt dëshmonte se cili është koncepti i tij për universitetin.

Ky akt nuk ishte i shkëputur, por i shoqëruar me vendosjen e Komisarëve në bordet universiteteve. Ky akt u shoqërua nga vendimi për të bllokuar mbrojtjen e gradave shkencore në universitete publike.

Ky vendim shënonte ndërprerjen e veprimtarisë kërkimore shkencore të këtyre institucioneve, të atij aktiviteti që përbën oksigjenin e zhvillimit të tyre.

Ky akt u shënua me rënien dramatike të buxhetit për kërkimin shkencor. Shqipëria ka një buxhet për kërkimin shkencor 10 herë më të ulët se mesatarja e vendeve të BE-së.  Kjo ishte një praktikë ‘brain draining’ për universitete tona”, tha kryedemokrati.

Berisha tha se çdo pedagog që kishte një projekt, ëndërr për ta shndërruar në realitet nëpërmjet kërkimit shkencor, kishte të drejtë të kërkonte diku një strehë tjetër për realizimin e projektit të tij.

Por ai shtoi se nuk u financua, “nuk u konsiderua që ju të realizonit projektet tuaja shkencore, por përkundrazi u bë gjithçka që ju të largoheni.

Ata studiues që kishin një projekt shkencor, ata nuk kishin më asnjë financim, asnjë mundësi. Ky qëndrim ishte jashtëzakonisht i dëmshëm për universitetet tona.

Të konsolidosh një universitet dhe ta bësh atë konkurrent është shumë e vështirë. Në një botë të hapur, ku konkurrenca është ligj i saj, duhet shumë mund e mençuri. Por u punua në të kundërtën”.

Kreu i selisë blu shtoi se pedagogët e universiteteve dhe asistentët e tyre, janë ndër më të keqpaguarit dhe se me ligjin e ri për arsimin e lartë, Rama do t’i japë goditjen përfundimtare universiteteve

“Cakton kuotë, notë nën të cilën nuk mund të futesh në universitet. Me këtë ti krijon kushte që të rinjtë të ikin nga Shqipëria. Ç’punë ke ti me notën.

Lejua universiteteve, njihua atyre të drejtën që të caktojnë se kë do të pranojnë. Tani do ti japë goditjen përfundimtare.

Ky ligj që pretendon se është i modelit anglez, absolutisht është në të kundërt.

Edhe sikur të jetë origjinal ligji i modelit anglez, që e kam studiuar shumë herë dhe kishim edhe një ekspert të Bankës Botërore për arsimin, ai nuk përshtatej me ne.

Nuk mund të krahasosh ti Shqipërinë, një nga vendet më të varfra në botë, me një nga vendet më të pasura të planetit.

Nëse ti do të ndjekësh rrugën e tyre, nuk mund të krahasosh ti, sistemin tënd bankar, me atë të Britanisë së Madhe, që studentëve britanikë u siguron kredi.

Këtu nuk funksionojnë, nuk ekzistojnë asnjë nga kushtet që studentët të marrin kredi nga bankat. Pra është një gënjeshtër, premtim në letër.

Për të marrë kredi duhet që të plotësosh disa kushte. Kjo shoqëruar me shpopullimin e përgjithshëm, ka çuar në rrudhje, mbyllje degës, programesh, defakto në falimentime të qëllimshme.

Duke krijuar tre llojet e universiteteve, Edi Rama kërkon të lajë duart, ti japë goditjen fatale, përfundimtare arsimit të lartë.

Tani thotë le të vijnë studentë nga jashtë, nesër do të thotë, të shkojnë ku të duan”, përfundoi Berisha.