Aktualitet Rrëfehet Gaxhai: Jeta në qeli dhe miku im më i mirë në...

Rrëfehet Gaxhai: Jeta në qeli dhe miku im më i mirë në burg

Sot i ka kaluar të dyzetat. Në vitin e mbrapshtë 1997 ishte i ri dhe ashtu sikundër thotë edhe vet, nuk i mendonte shumë veprimet që kryente. E quante veten të fortë. Jo vetëm kaq. I ushqyer edhe nga kundërshtarët e tij, të së njëjtës moshë, ai shkoi më tej. Vendosi të bëhej kryetar i një bande të armatosur në qytetin e Vlorës. Po kështu për të marrë këtë titull, vendosi të kishte një pseudonim. “Gaxhai”, është pseudonimi i tij. Kështu e thërrasin edhe në burg. Edhe ne drejtuesve të institucionit të vuajtjes së dënimit në Peqin kur u prezantuam, i kërkuam që të zhvillonim një bisedë më Gaxhain.

Emri i tij i vërtetë Gazmend Braka ndodhet i shënuar vetëm në regjistrat e burgut si dhe sipër derës së qelisë. Prej 18 vitesh një prej personazheve të njohur të botës së krimit qëndron i mbyllur në qeli. Është dënuar me burgim të përjetshëm për një seri vrasjesh në qytetin e Vlorës në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Është një nga të dënuarit, i cili ka tentuar të paktën tre herë të arratiset. Hera e fundit është ajo e vitit 2005, ku tentoi të largohej nga burgu 302 përmes një tuneli. Që prej atij momenti, duket se një prej të fortëve të qytetit bregdetar të Vlorës është pajtuar me fatin e tij.

Pritja

Për herë të parë që nga dita kur provoi prangat në duart e tij, Gaxhai pranon të flasë për gazetën “Shekulli”. Ndërsa morën lejen për tu futur në një prej institucioneve të sigurisë së lartë atë të Peqinit, drejtohemi për tek sektori ku qëndrojnë një numër fare i vogël të dënuarish me burgim të përjetshëm. Ai quhet sektori “VIP”. Drejtuesit e burgut na thonë se ka marrë këtë emër, pasi në të janë akomoduar njëri-tjetrin dhe secili prej tyre qëndron në dhoma të ndara. Trokasim në derën e hekurt dhe të mbyllur hermetikisht të dhomës me numër 4. Dritaren e vogël të saj e hap Gazmend Braka, quajtur ndryshe “Gaxhai”. Përshëndetemi dhe menjëherë na njeh. Madje na kujton edhe rubrikat e viteve të mëparshme që ne kemi shkruar ndaj tij. Në pamje dukej i rënë moralisht.

52

Fizikisht na tha se është shumë mirë. Fjalët i ka të ngadalta dhe shumë pak e vë buzën në gaz. Pranon se nuk është më ai i viteve 1997. Thotë se vitet kanë bërë të vetën dhe se, ai tashmë është pajtuar me fatin. Para se t’i përgjigjet pyetjes së drejtuar prej meje, Gaxhai mendohet. Kokën e mban ulur ndërsa duart në xhep. Na tha se nuk e kishte të vështirë të fliste hapur, por për të ishte hera e parë që bisedonte me një gazetar ne qelinë e tij të kthyer tashmë në banesën e përhershme. Ne këmbëngulëm dhe më në fund arritëm të shkëpusim nga një prej të fortëve të viteve 1997 në qytetin e Vlorës, disa fakte të cilat ai i cilëson të vërtetat e jetuara gjatë trazirave dhe më pas ato në qelitë e burgut.

I vetëm në dhomën qeli, takimet me familjarët të rralla

Ashtu sikundër na pohoi Gazmend Braka tashmë është pajtuar me fatin e tij. Qëndron i vetëm në dhomën e vogël të sektorit sektorit “Vip” që ndodhet në katin e dytë të godinës brenda së cilës janë akomoduar edhe dhjetëra të tjerë, dënuar me burgim të përjetshëm. Gaxhai tregon se pavarësisht fatit që i ka rënë, ndihet i qetë. Kur e pyesim se si e kalon ditën në qeli, përgjigjen ta kthen duke vënë buzën në gaz dhe shkurt.

Cila është dita juaj brenda këtyre mureve?

Jemi mësuar tashmë. Unë u bëra 40 vjeç këtu. Jam futur fëmijë në burg dhe tashmë e di shumë mirë se çdo të thotë të qëndrosh në qeli. Dita është shumë e thjeshtë. Zgjohem në mëngjes, përgatis ushqimin dhe më pas mundohem të bëj pak gjimnastikë. Është fare e thjeshtë.

Konsumoni ushqimin e burgut apo..?

Të them te drejtën nuk konsumoj ushqimin e burgut. Mundohem të gatuaj vet në dhomë. Ushqimet i blej në dyqanin e hapur për institucionin.

Kush është miku juaj më i mirë këtu?

Nuk do ta besoni po të them se mikun më të mirë kam televizorin. Gjatë ditës shkëmbejmë edhe ndonjë bisedë të shkurtër me shokët e sektorit.

Të cilët janë?

Burgu ka shumë të dënuar, por unë ndihem më mirë këtu me Arben Grorin, Taulant Balliun.

Këtu mësova se vuajnë dënimin edhe disa nga pjesëtarët e grupit që t’i drejtoje gjatë vitit 1997?

Po është e vërtetë. Këtu ndodhen. I takoj ndonjëherë.

Sa herë zhvillon takime me familjarët?

Takimet i kam të rralla. Familjen nuk e kam në Shqipëri. Prej disa kohësh ata ndodhen në Gjermani.

Sa fëmijë keni?

Kam tre fëmijë. Vajzën e madhe e kam 16 vjeçe dhe dy djem njëri 10 dhe tjetri 14 vjeç. Fakti që janë jashtë shtetit më pengon që unë të takohem me ta. Familjarët e tjerë i takoj më rrallë.

Sa herë komunikon me ta në telefon?

Kur më krijohet mundësia flasë në telefon me fëmijët. Më merr malli, por kështu e ka jeta. Ky ishte fati im.

Kush është Gazmend Braka i njohur si “Gaxhai”

Gazmend Braka i njohur ndryshe me emrin Gaxhai, u arrestua në vitin 1997, për kryerjen e një sërë krimesh në emër të organizatave kriminale me bazë në qytetin Vlorës. Banda e drejtuar prej tij ishte me qendër në Cerkovinë, ndërsa krimet kryheshin në mënyrë të organizuar në të gjithë qytetin. Në Vlorë u krijuan disa grupe kriminale me të cilat Gaxhai ishte në rivalitet. Kundërshtari më i madh për të ishte banda e ngritur dhe drejtuar nga Zani Çaushi. Është dënuar nga të gjitha shkallët e gjykimit me burgim të përjetshëm. Këtij dënimi në vitin 2005 iu shtua edhe ai për tentativë arratisje. Në grupin e Gaxhit bënin pjesë, Armando Sulejmani, Sokol Sinomati, Edmond Leskaj, Gazmend Nebiu. Këta të fundit morën të gjithë nga një dënim me 25 vite burg. Që nga momenti kur Gaxhai u dënua me vendim të formës së prerë, emri i tij nuk është përmendur më në media. Gjatë bisedës në tha se nuk ka pasur asnjëherë interes të flas në media për të shkuarën e tij dhe për historinë e vitit të mbrapshtë. Edhe drejtuesit e burgut të Peqinit shprehen se Gaxhai që nga momenti i akomodimit në institucion, ka qëndruar i heshtur duke mos paraqitur asnjë problem./ Alma Çuka/ Shekulli