Rreth 2000 persona janë arrestuar në vendet anëtare të Bashkimit Europian për periudhën 2018-2020 nën dyshimin për vepra të lidhura me terrorizmin, raporton Këshilli i Europës.
Ndërkohë 739 persona të tjerë janë arrestuar në Mbretërinë e Bashkuar.
Gjatë së njëjtës periudhe, rreth 44 komplote xhihadiste u parandaluan si në Bashkimin Europian ashtu edhe në Mbretërinë e Bashkuar.
Por, sipas raportit të Këshillit të Europës gjatë vitit 2020 u raportuan 57 incidente terroriste në shtetet anëtare. Terroristët arritën të realizonin 10 sulme në Austri, Francë dhe Gjermani.
“Gjithsej 21 persona u vranë në sulmet terroriste në BE në vitin 2020. Terroristët xhihadistë ishin përgjegjës për 12 vdekje”, thuhet në raport, në të cilin theksohet se 449 persona u arrestuan për sulme terroriste vetëm në vitin 2020.
Për vitin 2020, vepra më e shpeshtë që çoi në arrestimin e personave, ishte ‘anëtarësimi në një grup terrorist’, i ndjekur nga përhapja e propagandës, planifikimi i akteve terroriste dhe financimi i terrorizmit.
Në raport nënvizohet se midis 2015 dhe 2019, numri i personave të lidhur me terrorizmin në bazën e të dhënave të Europol u rrit me 267%.
Europol në raportet e fundit nënvizon se edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor ka pasur hetime për terrorizëm.
“Gjatë 2020, Shqipëria raportoi nëntë hetime të lidhura me terrorizmin ku përfshihen 14 persona. Kosova ka nisur tre hetime për terrorizëm në këtë shtet. Në vitin 2020, Maqedonia e Veriut çmontoi një celulë terroriste, të përbërë nga 11 anëtarë. Serbia nuk raportoi asnjë akt apo incident terrorist në vitin 2020”, thuhet nga Europol.