Nga subjektet e inspektuara nga Administrata Tatimore që nga 4 korriku, rreth 50 % e tyre kanë pasur shkelje të llojeve të ndryshme.
Ministria e Financave, Anila Denaj u prononcua për mediat së bashku me Drejtoreshën e Përgjithshme e DPT, Delina Ibrahimaj lidhur me planin operacional nga Administrata Tatimore.
“Aktualisht jemi të fokusuar në zonën e Tiranës dhe të Sarandës. Si ministre mendoj që ky komunikim vlen, është një komunikim javor që ne kemi zgjedhur ta bëjmë për hir të transparencës, por mbi të gjitha, jo thjesht për të komunikuar gjetjet tona por të rrisim ndërgjegjësimin e bizneseve”, u shpreh Denaj.
Ndërkohë, përsa i përket inspektimeve javore si dhe atyre të nisura që nga fillimi i planit operacional, Drejtoresha e Përgjithshme e DPT tha se në të gjithë territorin e vendit, që nga 4 korriku, janë inspektuar 2995 subjekte, prej të cilave janë konstatuar 1285 shkelje.
“Për rajonin qendror që përfshin Tiranën, Durrësin, Pogradecin, Korçën, Kavajën, ky inspektim ka gjetur 532 shkelja nga 1137 kontrolle. Shkeljet kanë qënë të llojeve të ndryshme, ku mund të përmendim shkelje për mosregjistrim të punonjësve, për subjekte të palicencuara, subjekte që nuk lëshojnë kupon tatimor” tha Ibrahimaj.
Drejtoresha e Përgjithshme e DPT theksoi faktin se nga kontrollet e bëra në Rajonin Qendror, janë evidentuar subjekte të cilat kanë vazhduar me moslëshimin e kuponit tatimor edhe pas kontrolleve të kryera.
“I bëjmë thirrje subjekteve pasi shkeljet janë në kurriz të konsumatorëve. Ne do të vazhdojmë të jemi në terren, jo vetëm në gusht por gjatë të gjithë vitit, që të gjithë subjektet të legalizohen dhe të shlyejnë detyrimet ndaj shtetit”, shtoi Ibrahimaj.
Ky proces, siç njoftoi Ministria Denaj, parashikohet të zgjasë një vit e gjysmë dhe do të shtrihet jo vetëm në vijën bregdetare, por në të gjithë territorin vendas.