Rreth 500 mësues janë infektuar me Covid që prej fillimit të vitit shkollor në muajin Shtator. Në një intervistë për Tv Klan, ministrja e Arsimit Evis Kushi tha se nga 1 mijë mësues që janë vënë në dispozicion për zëvendësimin e mësuesve të infektuar me Covid në sistemin parauniversitar, afro gjysma e tyre janë angazhuar në mësimdhënie.
“Ne bëjmë raportime çdo ditë të mësuesve të infektuar, atyre të karantinuar dhe atyre që kthehen. Kemi vendosur 1 mijë mësues në dispozicion. Më pak se gjysma janë angazhuar, kemi akoma mundësi të shfrytëzojmë kuotat shtesë”.
Janë 215 gjimnaze në 10 bashki të vendit ku mësimi do të zhvillohet online për javë. Sipas ministres Kushi, ky vendim u mor edhe nga fakti i rritjes në infektimeve në grupmoshën 15-18 vjeç.
“Ky ishte një vendim që u mor nga ekspertët. Janë 215 shkolla të mesme në 10 bashki ku situata e pandemisë është më e rënduar se zonat e tjera. Janë rreth 57 mijë nxënës në këto shkolla”.
Ministrja thotë se për universitetet do të veprohet në varësi të situatës së infektimeve, ndaj nuk ka asnjë datë se kur ata do të kthehen në auditore.
“Ky është një vendim që nuk mund ta marrim në këto momente. Bashkëpunojmë me Komitetin e Ekspertëve, procesi është dinamik dhe po shihet situata”.
Ministria e Arsimit ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar edhe për ciklin 9-vjeçar, nëse do të rikthehet në skenarin e tretë të mësimdhënies, ashtu si gjimnazet.
Por nëse situata vijon të paraqitet me shifra të larta infektimesh, Kushi thotë se do të jetë Komiteti Teknik i Ekspertëve që do të japë një vendim final.