94 përqind e depozitave bankare të individëve në Shqipëri, përbëhen nga depozita që janë poshtë kuotës prej 2,5 milionë lekësh, që është edhe niveli maksimal i kompensimit për kursimet, në rast se ndonjë bankë falimenton. Kjo shumë garantohet 100% nga shteti.
Në raportin drejtuar kuvendit, Agjencia e Sigurimit të Depozitave thotë se deri në fund të dhjetorit 2018, totali i depozitave në sistemin bankar arriti 1,121 miliardë lekë, prej të cilave Agjencia ka detyrimin për kompensim prej 667.2 miliardë lekë, apo rreth 1,603,317 depozitues.
Dy vitet e fundit në skemën e sigurimit janë futur edhe depozitat e subjekteve tregtare si dhe llogaritë në shoqëritë e kursim-kreditit. Në këto të fundit vlera maksimale e kompensimit për çdo individ që ka depozituar paratë është 2 milionë lekë.
Në Shqipëri janë të siguruara si depozita në lekë ashtu edhe ato në valutë të huaj. Nga të dhënat rezulton se gjysma e parave të depozitave të sigurueshme ,ose 50% është në lekë kurse pjesa tjetër në valutë, 43 % në euro, 5% në dollarë amerikanë dhe 2 % paund britanik.