Ish-kryeministri Sali Berisha u është kundërpërgjigjur deklaratave të bëra nga kryeministri Edi Rama në emisionin “Opinion” në Tv Klan, të cilin e akuzonte për tradhti kombëtare me marrëveshjen e detit me Greqinë në vitin 2009, e cila u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese.
Në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Sali Berisha akuzoi Gjykatën Kushtetuese për tradhti kombëtare që rrëzoi marrëveshjen e detit me Greqinë në vitin 2009.
“Bashkë me Gjykatën Kushtetuese kanë kryer një akt të tradhtisë së lartë kombëtare me atë që bënë. Lexoni vendimin e gjykatës. Në qoftë se gjeni një konkluzion të bazuar në ekspertizë, 100 herë ndjesë u kërkoj. Asnjë ekspertizë. I vetmi dokument që është marrë për bazë, harta e një falsifikatori që mbush xhepat tjetërkund. Hartë në të cilët ka mashtruar me linjën kryesore të koordinatave, me linjën bazë të koordinatave, 19 kilometra e ka spostuar në territorin shqiptar dhe ka ngushtuar territorin shqiptar, nga 38 km në 22 km”.
I pyetur nga drejtuesi i emisionit, Blendi Fevziu, nëse qeveria turke ka bërë ndërhyrje që Gjykata Kushtetuese të rrëzonte marrëveshjen e vitit 2009, ish-Kryeministri Sali Berisha u përgjigj: “Absolutisht po, 100%, totalisht”.
Rama: Meta, Basha dhe Saliu duhet ta qepin!
Zgjerimi i Greqisë me 12 milje në Detin Jon vijon të mbetet “patate e nxehtë” në politikën shqiptare. Sonte, në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Kryeministri Edi Rama ka përsëritur disa herë se nuk ka asnjë marrëveshje Shqipëri-Greqi për këtë çështje.
Duke diskutuar për ketë temë, kryeministri solli në vëmendjen marrëveshjen e detit mes Shqipërisë dhe Greqisë së vitit 2009 të arritur nga Qeveria e PD-LSI, por që u rrëzua më pas nga Gjykata Kushtetuese.
Në këtë pikë, Rama kërkoi që Presidenti Ilir Meta, ish-Kryeministri Sali Berisha dhe ish-ministri i Jashtëm Lulzim Basha në Qeverinë e vitit 2009, nuk duhet të flasin për këtë temë.
“Nëse ka një pikë që Ilir Meta, Lulzim Basha, Saliu, Monikën nuk e llogaris se skuq peshk, nëse ka një pikë që këta duhet ta qepin, është pikërisht kjo pikë. E bënë nga paaftësia, e bënë nga banaliteti, unë nuk e di. Po ta qepin se këta e kanë treguar me fakte, me vulë, me firma që janë të paaftë për të mbrojtur interesat kombëtare. Këta të 3 janë 3 që duhet ta qepin gojën për interesat kombëtare sepse e kanë treguar që janë të paaftë. Është mirë ta qepin gojën kur flitet për interesa kombëtare”, u shpreh kryeministri Edi Rama.