Të paktën 151 njerëz kanë vdekur, përfshirë 19 të huaj dhe 82 janë plagosur gjatë një përplasje që nisi gjatë një feste të Halloween në Korenë e Jugut, në Itaewon të Seulit, të shtunën mbrëma. Është ende e paqartë se çfarë e shkaktoi kaosin kur njerëzit nisën të vraponin duke shtypur njëri-tjetrin. Kjo ishte festa e parë e Halloween që mbahej në ambient të hapur pa maska që prej pandemisë. Zyrtarët thonë se numri i të vdekurve mund të rritet.
Një mjek që u dha ndihmën e parë në vendngjarje, ka përshkruar luftën e dëshpëruar për të shpëtuar jetë.
“Kur u përpoqa për herë të parë të bëja CPR, kishte dy viktima të shtrirë në trotuar. Por numri i viktimave u rrit menjëherë më pas. Është e vështirë të përshkruash me fjalë. Fytyrat e shumë viktimave ishin të zbehta. Nuk mund t’ua kapja pulsin apo frymën dhe shumë prej tyre kishin hundë të gjakosur”, tha ai.
Itaewon në qendër të Seulit është i njohur për jetën e tij të gjallë të natës. Është popullor me vendasit, emigrantët dhe vizitorët e huaj. Shumë nga rrugicat e ngushta dhe rrugët dredha-dredha janë të mbushura me bare, dyqane dhe restorante që shërbejnë ushqim nga e gjithë bota. Edhe pse Halloween nuk është një festë tradicionale e Koresë së Jugut, ajo është bërë gjithnjë e më popullore vitet e fundit.
Raportet lokale vlerësuan se rreth 100,000 njerëz ishin në Itaewon për të festuar Halloween.