Aktualitet Policia e Shtetit bën bilancin: 154 të arrestuar në 1 javë

Policia e Shtetit bën bilancin: 154 të arrestuar në 1 javë

Policia e Shtetit ka bërë bilancin e javës, ku sipas shifrave të publikuara, janë proceduar penalisht 441 qytetarë, janë arrestuar 154 të tjerë, ndërsa 24 janë shpallur në kërkim.

Gjatë kësaj jave, është bërë i mundur lokalizimi dhe kapja e 27 personave në kërkim, nga të cilët 26 janë në kërkim kombëtar dhe 1 në kërkim ndërkombëtar për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë goditur 11 raste dhe janë sekuestruar 6 armë zjarri, 2 armë gjahu, 7 thika, 1 dorezë dhe 1 shkop si i Policisë.

Gjatë kësaj jave janë finalizuar 32 operacione policore dhe 1 megaoperacion, për goditjen e paligjshmërive në fusha të ndryshme.

Njoftimi i Policisë:

54 shtetas të arrestuar, 16 shtetas të shpallur në kërkim dhe 127 shtetas nën hetim, si rezultat i 2 fazave të megaoperacionit antidrogë “Knock Down”, të zhvilluar nga DVP Korçë. Kokainë, heroinë, kanabis, armë zjarri dhe sende të tjera të kundërligjshme, të sekuestruara gjatë 2 fazave të këtij megaoperacioni.

1 ton e 162 kg lëndë plasëse, 3815 kapsolla elektrike, të sekuestruara dhe 6 shtetas të vënë në pranga, si rezultat i finalizimit të operacionit “Toka e artë”, nga DVP Dibër. Operacioni goditi përdorimin e tregtimin e kundërligjshëm të lëndëve plasëse dhe informalitetin.

Ka vijuar megaoperacioni “Kuito”. Policia e Vorës vuri në pranga një 46-vjeçar, i cili lëvizte me dokumente të falsifikuara, me masë sigurie “Arrest në burg”, pasi ishte i kërkuar si pjesëtar i një grupi kriminal që dyshohet se do të trafikonte drejt vendit tonë, 137 kg kokainë, në vitin 2019.

Gjatë operacionit “Neutralizimi”, në Vaun e Dejës, u neutralizua dhe u vu në pranga, një 49-vjeçar me rekorde të theksuara kriminale, për krime ndaj personit dhe armëmbajtje pa leje, i cili hapi zjarr ndaj shërbimeve të Forcës Speciale RENEA.

Në kuadër të operacionit “Lokalizimi”, në Pogradec, u vu në pranga autori i dyshuar i ngjarjes së ndodhur më datë 07.09.2022, në fshatin Gështenjas, ku mbeti i vrarë me mjet prerës (thikë), një 65-vjeçar.

Në fushën e narkotikëve janë finalizuar një sërë operacionesh, si rezultat i të cilave janë goditur 23 raste në të gjithë vendin. Janë sekuestruar sasi të drogave të llojeve të ndryshme, si dhe 38 automjete, 7 peshore elektonike, 49 celularë dhe shuma parash.

Në fushën e krimit ekonomik dhe financiar në të gjithë vendin, janë goditur 42 raste, nga këto 6 raste të kontrabandës me mallra të ndryshme, në Vlorë, Tiranë dhe Korçë.

Gjatë 2 fazave të operacionit “Fasada”, në Elbasan, janë konfiskuar pasuri me vlerë 3 000 000 euro, që burojnë nga veprimtari kriminale, si dhe është vendosur sekuestro preventive për pasuri të tjera, me vlerë 400 000 euro.

Nga DVP Tiranë janë zhvilluar 8 operacione për evidentimin dhe goditjen e organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit. Si rezultat i operacioneve, janë vënë 9 shtetas në pranga dhe janë sekuestruar 9 aparate celulare.

Janë finalizuar 8 operacione policore, në Gjirokastër, Korçë dhe Fier, për goditjen e transportimit kundrejt fitimit, të emigrantëve, për kalim të paligjshëm të kufirit. 9 shtetas janë vënë në pranga për këtë veprimtari kriminale.

Në vijim të angazhimit nga strukturat e Policisë, në bashkëpunim me shërbimet mbështetëse, janë evidentuar dhe goditur 23 raste të krimeve mjedisore dhe janë trajtuar ligjërisht 32 raste të dhunës në familje.

Policia Rrugore/Monitorim i pandërprerë i qarkullimit rrugor në të gjitha akset e vendit, nëpërmjet mjeteve inteligjente, për parandalimin e aksidenteve dhe për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.

  • Si rezultat i monitorimeve, janë pezulluar në total 631 leje drejtimi, nga të cilat: 498 për qarkullim me shpejtësi mbi normat e lejuara, 91 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 42 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
  • Përmes përdorimit të alkool-testuesve dhe si rezultat i kontrolleve me përzgjedhje, janë arrestuar 44 drejtues mjetesh, nga këta: 25 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 19 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
  • Janë goditur nga Policia Rrugore e Tiranës, 7 raste të tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë Rrugore dhe 4 raste të drejtimit të automjeteve, nën efektin e lëndëve narkotike.

Policia Kufitare/Kontrolle intensive për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare. Të angazhuar për t’iu ofruar qytetarëve në hyrje/dalje, në pikat e kalimit kufitar, shërbim sa më cilësor.

  • Në bashkëpunim me DVP-të përkatëse, janë goditur 13 raste të tentativës për kalim të paligjshëm të kufirit dhe të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.
  • Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”; 5 shtetas, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe 2 shtetas për “Mosdeklarimi i të hollave në kufi”.