Nuk rriten vetëm njerëzit, por edhe malet. Maja më e lartë në botë, mali Everest është rritur me pothuajse 1 metër pas disa kalkulimeve të fundit të ekspertëve. Lartësia e re është 8,848.86 metra.
Në këtë mënyrë, i jepet fund debateve mes dy vendeve, pasi Nepali thoshte se lartësia e Everestit është 8848 m, ndërsa Kina thoshte se ishte 8844 m. Matja e fundit përkon me atë që bëri India në vitin 1955, kur tha se Everesti ishte 8848 m i lartë.
Gjithashtu, kjo matje hedh poshtë dyshimet se tërmeti i magnitudës 7,5 që goditi Nepalin në vitin 2015, kishte ndikuar në majën e Everestit.
Everesti qëndron në kufirin mes Kinës dhe Nepalit. Ngjitësit përdorin rrugë nga të dyja shtetet për të shkuar në majë.
Zyrtarë nga Ministria e Jashtme e Nepalit thanë se ekspertët nga të dyja vendet ranë dakord për lartësinë e re.
Marrëveshja për të shpallur matjen e re të pikës më të lartë të botës u bë gjatë vizitës së Presidentit kinez Xi Jinping në kryeqytetin e Nepalit, Kathmandu, vitin e kaluar.