Numri i dosjeve të mbartura në Gjykatën e Lartë arriti në 28,863 gjatë vitit 2018, i ndikuara negativisht nga postet vakante të pambuluar ndër vite si dhe dorëheqjet dhe shkarkimet si pjesë e procesit të vetingut.
“Ky vazhdon të mbetet problem shqetësues për veprimtarinë e Gjykatës së Lartë, pasi ndikon drejtpërdrejtë në ecurinë e administrimit të shpejtë dhe efektiv të drejtësisë,” tha nëpërmjet një njoftimi për shtyp Gjykata e Lartë.
Numri i dosjeve të mbartura në vitin 2018 u rrit me 6863 dosje, ose 31 % krahasuar me një vit më parë kur numri i dosjeve të mbartura ishte 22,000.
Kjo rritje përfaqëson një trend historik të përkeqësuar në 4 vitet e fundit nga numri i lartë i dosjeve që ankimohen në Gjykatën e Lartë, ndërkohë që numri i gjyqtarëve në këtë institucion është reduktuar ndjeshëm për shkak të vakancave, dorëheqjeve dhe shkarkimeve si pjesë e procesit të vetingut.
Dy vjet më parë, Gjykata e Lartë kishte 17 anëtarë. Gjashtë u tërhoqën nga detyra pas mbarimit të mandatit, pesë ngelën në veting, katër u konfirmuan, një dha dorëheqjen dhe një u dënua për korrupsion. Nga 4 gjyqtarë të mbetur në Gjykatën e Lartë, vendimet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për 2 prej tyre – kryetarin Xhezair Zaganjori dhe gjyqtarin Edmond Islamaj, janë ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.
Megjithatë, përtej procesit të vetingut numri i dosjeve të mbartura në Gjykatën e Lartë ka ardhur duke u përkeqësuar ndjeshëm nga viti 2015 – kur numri i dosjeve të mbartura ishte 11357 deri sot kur ka arritur në 28863.
Numri i dosjeve të ardhura në Gjykatën e Lartë në 4 vitet e fundit është luhatur midis 8536 deri në 9627 dosje, por përqindja e dosjeve të shqyrtuara në relacion me ato të ardhura është ulur çdo vit. Në qoftëse në vitin 2015 u shqyrtuar 81% e dosjeve të ardhura në Gjykatën e Lartë gjatë atij viti, kjo shifër u ul në 65 % në vitin 2016, 39 % në vitin 2017 dhe përfundimisht në 20 % në vitin 2018.
Rritja më e madhe e dosjeve të mbartura vit pas viti në Gjykatën e Lartë është shënuar në vitin 2017 me 36 % në krahasim me ato të mbartura në vitin 2016. Ndërkohë, numri i dosjeve të gjykuara çdo vit ka pasuar rënie, nga 7360 në vitin 2015 në 1673 në vitin 2018.