Shqipëria po “josh” të huajt. Numri i tyre gjatë vitit të shkuar arriti në 13,609 duke u rritur me 0,8 për qind krahasuar me 2019-n.
Referuar të dhënave nga Instituti i Statistikave, pjesa më e madhe janë nga Irani, Italia, Turqia apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Shon dhe Lara Curny janë një çift amerikan që prej 4 vitesh jetojnë në Elbasan.
“Prej katër vitesh jetoj në Elbasan dhe jam mësues i gjuhës angleze në një shkollë. Më pëlqen Shqipëria, madje mund të them se e dashuroj. Tani për tani nuk kemi ndërmend të lëvizim nga këtu”, tregon Shon Curny.
“Ndryshe nga bashkëshorti im, i cili është mësues, unë aktualisht po qëndroj në shtëpi. Kemi miq shqiptarë e amerikanë dhe mund të them se na pëlqen jetesa këtu”, shprehet bashkëshortja e Shon, Lara Curny.
Ahmad Amursi është një inxhinier 40 vjeçar që prej mëse një viti ka zgjedhur të jetojë në kryeqytetin shqiptar.
“Unë me profesion jam inxhinier elektrik. Punoj në një kompani shqiptare dhe roli im është të mësoj më të rinjtë. Është një lloj shkëmbimi eksperiencash. Planifikoj të qëndroj këtu edhe për ca kohë, edhe pse familja ime aktualisht gjendet në Francë”, deklaron Khalid Traibi.
Ka edhe nga të huaj që kanë ardhur për të kaluar pushimet, por që thonë se po vlerësojnë të qëndrojnë këtu.
“Unë bashkë me disa miq të mi. Ishte më shumë kuriozitet. Unë me profesion jam inxhinier dhe me sa kam folur, ky treg po zhvillohet këtu. Pas pushimeve të fundvitit, do rikthehem”, shpjegon Ahmad Amursi.
Pjesa më e madhe e të huajve që jetojnë në vend kanë ardhur për t’u punësuar, të tjerët për bashkim familjar apo studime.
Burimi: A2