Opinione Publikimi i targave, një “bombë tymuese” për të shpërqëndruar hetimin e publikimit...

Publikimi i targave, një “bombë tymuese” për të shpërqëndruar hetimin e publikimit të pagave

Nga Mero Baze

Publikimi i të dhënave të ndjeshme për qytetarët, siç ishte listapagesa kombëtare, vazhdoi sot me publikimin e të dhënave për veturat private dhe mund të vazhdojë më tej me rregjistra të tjerë kombëtarë, që ka shteti shqiptar. Kur u publikua rasti i parë, hamendjet e para ishin që mund të ishte sulm kibernetik i rastësishëm. Pastaj hetimet kanë çuar në duart e Prokurorisë së paku një zyrtar që pranon se ka kopjuar të dhënat “për qëllime studimore” dhe sapo ai e tha këtë në qeli, jashtë u publikua listpagesa e prillit, si për të thënë që nuk është ai djali fajtor.

Më pas u shfaq në ekranin e familjes Berisha si shumë  e informuar ish-drejtoresha e Tatimeve, që e ka punësuar atë tipin dhe vazhdoi alarmin kryetarja e LSI. Sot kemi publikimin e regjistrimit të veturave. Pra kemi një diversifikim të goditjes, në disa pika të ndryshme.

Është qartazi një sulm me prapavijë politike, kundër sigurisë dhe besimit tek shteti shqiptar. Përgjegjësia e institucioneve të shtetit shqiptar për protokollet e sigurisë është e plotë, por në këtë rast nuk mund të themi që fajin e ka vetëm viktima. Nuk  nuk kemi të bëjmë me një veprimtari rastësore apo teka zyrtarësh, por me një sulm të motivuar politikisht për goditjen e sigurisë kombëtare.

Drejtues të LSI rrotull Ilir Metës dhe Berishës, në fakt kanë një vit që flasin nëpër tavolina për këto lista “që kanë në duart e tyre”. Madje njëra shpesh lëvdohej se ja kishte çuar si “pajë” LSI-së që ta kandidonte. Gazetarë afër tyre e pranojnë këtë dhe publikisht.

Njeriu i ndaluar nga policia që po hetohet për marrje të dhënash është pjesë e asaj çete politike. Me sa duket, për të krijuar një alibi për të dhe për të mos e përqëndruar gjithë goditjen vetëm me vjedhjen e të dhënave nga sistemi tatimor, sot publikuan dhe regjistrin e targave të veturave personale.

Për hir të së vërtetës, regjistri i veturave personale, madje dhe regjistri i gjendjes civile në Shqipëri, kanë qenë të shpërndarë gati legalisht në shumë duar noterësh dhe përmbaruesish, që u lehtësonte punën e tyre me të dhënat personale. Kjo ka qenë praktikë prej vitesh, madje dhe në redaksi gazetash së paku nga viti 2008, kemi pasur herë pas here CD me të dhënat e regjistrit të veturave apo të gjendjes civile, që e përdornin gazetarët për të krijuar lidhje me ngjarjet e kronikës së zezë. Por për fat, kurrë nuk është përdorur për shantazh publik si ky rast.

Ndaj publikimi i tij sot, është më shumë një bombë tymuese për të tërhequr vëmendjen nga skandali i publikimit të pagave, i cili realisht është skandal, pasi gjendet brenda një protokolli sigurie. Regjistri i targave edhe pse përmban të dhëna personale, nuk është marrë kurrë seriozisht për t’u mbrojtur dhe është lehtësisht i gjendshëm në tregun e zi të noterëve, përmbaruesve apo avokatëve.

Publikimi i sotëm është vetëm një përpjekje për të shpërqëndruar vëmendjen nga ajo që ka ndodhur dje dhe pardje me regjistrin e pagave në sistemin tatimor të Shqipërisë, ku janë thyer standartet e sigurisë brenda sistemit të tatimeve, dhe që bën përgjegjës dhe AKSH për mungesë të koordinimit për ruajtjen e këtyre standarteve të sigurisë.

Është e qartë pse përpjekja për të vazhduar përhapjen e panikut me paralajmërime të tjera për publikim regjistrash kombëtar, është presion mbi Prokurorinë dhe procesin e hetimit që të mos thellohet tek hapi i parë i hetimit, ai i publikimit të listës kombëtare të pagesave.

Aty në të vërtetë është shumë e qartë kush faktor politik e ka krijuar skemën, përse e ka përdorur dhe përse po e përdor. Janë pikërisht të njëjtët që tani po hedhin në treg mallra të vjetër, që askujt si ka shkuar mendja t’i bëjë publik për qëllime politike.

Publikimi i targave ka të njëjtin autor, por jo për të “diskretituar” njerëzit që kanë vetura private, por për të shpëtuar ata që janë shumë afër përballjes me ligjin, me skandalin e parë. Është një bombë tymuese për të fshehur gjurmët e krimit që është afër zbulimit.