Nëntë raste të reja me koronavirus janë shtuar në vendin tonë. Lajmin e konfirmoi Ministria e Shëndetësisë përmes një deklarate për shtyp.
Në këtë mënyrë, numri total i të prekurve me COVID-19 në Shqipëri shkon në 51. Zv/ministrja Mira Rakacolli tha se në 24 orët e fundit janë testuar 31 persona të dyshuar.
“Në 24 orët e fundit janë testuar 31 persona të dyshuar, qytetarë dhe personel shëndetësor, prej të cilëve janë konfirmuar 9 raste të reja me COVID-19. Deri në këto momente janë testuar 563 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 51 raste”, tha zv/ministja.
Nga rastet e konfirmuara pozitivë në Tiranë janë 34 raste, në Durrës janë 5 raste njëra prej të cilëve ka ndërruar jetë, në Lushnje janë 2 raste, në Elbasan 2 raste, në Fier 6 raste dhe në Rrogozhinë janë 2 raste. 20 prej tyre janë të shtruar në spitalin infektiv. Bëhet fjalë për pacientë nga Tirana, Durrësi, Fieri, Lushnja dhe Rrogozhina.
Në terapi intensive janë tre pacientë, njëri prej të cilëve në respiracion të drejtuar. Zv/ministrja Rakacolli tha se pjesa tjetër e të shtruarve në pavijon është në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.
Por një lajm i keq vjen nga personeli mjekësor i spitalit “Shefqet Ndroqi”. Atje kanë dalë pozitiv edhe 4 raste, një mjek dhe 3 infermierë, të cilët kanë qenë në kontakt me pacientin, i cili aktualisht po trajtohet në spitalin infektiv dhe që më herët ka qenë i shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”.
“Siç ju kemi njoftuar, nga gjurmimi i kryer, ky pacient është vizituar në spital nga një i afërm që vinte nga Italia, dhe që nuk e ka dhënë këtë informacion tek stafet mjekësore. Personeli është në gjendje të mirë shëndetësore, pa simptoma dhe i vetëkarantinuar. Instituti i Shëndetit Publik po vazhdon pa u ndalur hetimi epidemiologjik dhe testimi i rasteve të dyshuara”, tha zv/ministrja.
Rakacolli i bëri thirrje qytetarëve që të telefonojnë numrin 127 nëse ka raste të dyshuara me koronavirus. Ajo apeloi që të mos mbahen i fshehtë informacioni i lëvizjeve sepse ndryshe rrezikohet të infektohet personeli shëndetësor.
“Ju lutem qytetarë: Shmangni vajtjet direkte në spitale. Qëndroni në shtëpi! Respektoni rregullat e reja! Një thirrje sidomos për të moshuarit mbi 70 vjeç: Ju lutem mos dilni nga shtëpitë”, tha zv/ministrja.