20 është numri i të infektuarve me Covid-19 në vendin tonë në 24 orët e fundit, ku 15 prej rasteve janë në Tiranë.
Ministria e Shëndetësisë bën me dije se në 24 orët e fundit janë kryer 297 testime. Rastet janë 15 në Tiranë, 2 në Krujë, 2 në Durrës dhe 1 në Kamëz.
Janë testuar 65 personel shëndetësor nga të cilët kanë rezultuar pozitivë 4 raste. Rastet e identifikuara në 24 orët e fundit janë kryesisht kontakte të rasteve të zbuluara nga hetimi i kryer, dhe disa raste të reja për të cilat po vijon hetimi epidemiologjik.
Në spitalin infektiv aktualisht po trajtohen 21 të prekur, nga të cilët 5 janë në terapi intensive, njëri prej tyre është i intubuar. Rreth 8% e të prekurve aktivë po trajtohen në spital kurse pjesa tjetër po ndiqen nga mjekët e familjes.
Në vendin tonë janë 253 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Durrës dhe Krujë. Në 24 orët e fundit janë shëruar 7 qytetarë, duke e çuar në 898 numrin e të shëruarve.
Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 16500 testime molekulare dhe serologjike dhe janë konfirmuar pozitivë 1184 raste.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar rregullat e vendosura, për të ruajtur veten dhe të afërmit. Mos neglizhoni shenjat e sëmundjes dhe për çdo shqetësim telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127. Për informacion në lidhje me COVID19 dhe këshillim psikologjik, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40”.