Rritja drastike e çmimit të naftës në vendin tonë ka bërë që shumë drejtues automjetesh të blejnë naftë në vendet fqinje, si në Kosovë apo në Maqedoni, për të kursyer para në xhepat e tyre.
Por përpjekja për të kursyer para përballë krizës së ushqimeve dhe karburantit, një 56-vjeçari nga Elbasani i kushtoi prangat, menjëherë sapo doli nga pika e kalimit kufitar të Qafë-Thanës.
Në automjetin tip “Benz”, Policia sekuestroi 40 litra naftë në dy bidonë. Nafta në Maqedoninë e Veriut kushton rreth 220 lekë, ndërsa në Shqipëri kushton 260 lekë.
“Policia Kufitare godet një tjetër rast të aktivitetit të paligjshëm të kontrabandës me mallra.
Sekuestrohen mallra ushqimore dhe sasi nafte, të dyshuara të kontrabanduara. Vihet në pranga drejtuesi i mjetit që tentoi t’i fuste në vendin tonë. Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Qafë-Thanë, në hyrje të Republikës së Shqipërisë kaluan në vijë të dytë, për kontroll të imtësishëm, mjetin tip ‘Benz’ me drejtues shtetasin A. K., 56 vjeç, banues në Elbasan.
Nga kontrolli i ushtruar në mjet, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale mallra të ndryshme, të dyshuara të kontrabanduara (pije, produkte ushqimore dhe 40 litra naftë). Gjithashtu, gjatë këqyrjes së mjetit u konstatua ndryshim në vëllimin e serbatorit të tij.
Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. K., për veprën penale ‘Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë’”, njoftoi Policia.