Kryeministri Edi Rama ka folur të mërkurën lidhur me shtimin e tentativave të Rusisë për rritjen e influencës në Shqipëri.
“Rusia nuk është një vend tifoz i BE, i zgjerimit të BE dhe natyrshëm nuk mund të ketë tifozllëk për ecurinë e asnjë prej vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kjo nuk është sekret, kjo dihet. Ndërkohë që ne kemi një axhendë kombëtare me kryefjalë bashkimin në familjen e BE. Sa herë që kjo axhendë cënohet, aq herë kush nuk është tifoz i BE dhe integrimit të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor, pa dyshim që shikon një oportunitet”, tha Rama gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev.
Të dhënat mbi përpjekjet e Moskës janë paraqitur këtë javë në një seancë me dyer të mbyllura në Komisionin e Sigurisë nga kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Helidon Bendo. Ai i njohu deputetët me raportin sekret analitik për vitin 2018.
Në konferencë, dy kryeministrat folën për marrëdhënie të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Maqedonisë.
“Shqiptarët u janë mirënjohës që çelët rrugën e një harmonie të munguar dhe aq të domosdoshme në shtetin tuaj, mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Seanca e Kuvendit tuaj ku u fol shqip ishte një moment historik dhe një arsye më shumë që ne të vazhdojmë të jemi promotorë të idesë së integriteti dhe stabiliteti i Maqedonisë së Veriut është në interesin tonë strategjik”, tha Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare tha se “më vjen shumë mirë që kemi dakordësi për të ecur përpara në krijimin e një zone të përbashkët ekonomike dhe jo vetëm, duke finalizuar një projekt të komplikuar por të domosdoshëm. Ne kemi nisur një proces me Kosovën, çka është vetëm zanafilla e një projekti duhet të shtrihet në të gjithë rajonin, edhe me Maqedoninë dhe me Malin e Zi.”