Kryesore Rama, batuta me Zaevin: Presim të na ftoni në shtëpi dhe të...

Rama, batuta me Zaevin: Presim të na ftoni në shtëpi dhe të na paguani drekën

Kryeministri Edi Rama ka dalë në një deklaratë të përbashkët me homologun e tij të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Gjatë fjalës së tij, Rama ka përshëndetur marrëveshjen që Zaev ka bërë me Greqinë, në lidhje me ndryshimin e emrit.

“Më vjen mirë që Shqipëria ishte e para që ratifikoi protokollin e anëtarësimit në NATO të Maqedonisë së Veriu. Maqedonia  e Veriut nuk është vetëm një vend fqinjë, por një shtet mik dhe strategjikisht i pazëvendësueshëm, marrëdhënie e cila  kultivohet përmes parimeve dhe vlerave më të mira që na bashkojnë si dy vende që i përkasin Evropës dhe do jemi së bashku në tryezën e familjes Europiane.

Nga ana tjetër iu jam mirënjohës shqiptarëve që me kurajën e tyre iu çelën rrugën e një harmonie të munguar dhe të domosdoshme në shtetin tuaj mes shqiptarëve dhe maqedonaseve. Për ne, seanca e Kuvendit tuaj ku u fol shqip për herë të parë ishe një moment historik dhe një arsye më shumë që ne të vazhdojmë të jemi promotorë të fuqishëm të idesë se integriteti i Republikës së Maqedonisë është interes strategjik i Republikës sonë”, tha Rama.

Ndërkohë, Edi Rama rreshtoi një sërë projektesh të përbashkëta mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ai tha se qytetarët e dy shteteve do ta kalojnë kufirin pa pasur nevojë për dokumente. “Presim ftesën për vizitën e radhës mes dy shteteve. Tani ju takon juve që të na prisni në shtëpi dhe të paguani shpenzimet e drekës”, tha Rama.