Aktualitet Rritja e numrit të infektimeve, brenda javës hapet “Covid 2”

Rritja e numrit të infektimeve, brenda javës hapet “Covid 2”

Brenda disa ditësh, spitali “Shefqet Ndroqi” do të rikthehet edhe njëherë si spital që d të trajtojë pacientët e infektuar me Covid-19. Lajmin e dha ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu pas një vizite në ambientet e këtij spitali.

“Pas diskutimeve në Komitetin e Ekspertëve dhe Ministrisë së Shëndetësisë kemi vendosur që së shpejti brenda këtyre ditëve të rihapim si një spital që do të trajtojë pacientët me Covid spitalin “Shefqet Ndroqi””, tha ajo.

Manasatirliu shtoi se po forcohen kapacitetet  spitalore edhe në terapinë intensive. Ministrja kujtoi se nëse edhe spitali Covid 2 do të mbushet me pacientë atëherë parashikohet të kalohet në skenarin e tretë ku spitali i ish-Kirurgjisë pritet të kthehet në Covid.

Gjithashtu Manastirliu u shpreh se ekziston edhe skenari i katërt i spitalit karantinë. Ministrja apeloi që njerëzit të respektojnë rregullat duke mbajtur distancë, duke vendosur maskën dhe duke ruajtur higjienën personale dhe kolektive.

Drejtori i Spitalit Universitar Shefqet Ndroqi, prof. Perlat Kapisyzi tha se puna e ekipit në fazën e parë tregoi se është një ekip me eksperiencë bashkëkohore në këtë spital, për trajtimin e pacientëve të prekur me COVID-19.

Ndërsa shefja e shërbimit të Reanimacionit, prof. Alma Cani, tha se, falë forcimit të kapaciteteve në terapinë intensive në këtë spital, do të kemi cilësi dhe trajtim bashkëkohor në shërbim të pacientëve me COVID-19.

Aktualisht janë duke u kryer proceset e fundit të transferimit të pacientëve dhe shërbimeve të spitalit universitar “Shefqet Ndroqi” tek spitali “Nënë Tereza”, ku do të kenë pavion të dedikuar në shërbimin e ish-kirurgjisë, ndërkohë që rreth 125 shtretër në këtë strukturë do të jenë të dedikuara për pacientët me COVID19.