Greqia ka mbyllur kufijtë për Serbinë deri në 15 korrik, pasi Beogradi shpalli gjendjen e jashtëzakonshme si pasojë e rritjes së numrit të rasteve të reja.
Tre spitale në kryeqytetin serb, pas një pushimi të shkurtër prej afërsisht një muaji, janë kthyer sërish në godina ku trajtohen vetëm pacientë me COVID-19.
Lajmi vjen pasi Serbia regjistroi rritjen më të lartë të rasteve të reja që prej muajit prill.
Javën e shkuar, Austria tha se do të vendosë paralajmërime për udhëtimet drejt 6 vendeve të Ballkanit, Bosnjën, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Malin e Zi dhe Serbinë, si pasojë e shifrave të larta me COVID-19.
Spanja dhe Gjermania vazhdojnë të mbajnë masat izoluese për të luftuar vatrat lokale
Spanja, një ndër shtetet më të prekura në Europë, ka vendosur rreth 270 mijë qytetarë në karantinë brenda një harku kohor prej dy ditësh, pas një rritje të numrit të rasteve në rajonin verior Galicia dhe Katalunjë.
Në Gjermani, ku gjithashtu po luftohen disa vatra të reja, ministri i shëndetësisë i rezistoi thirrjeve për të hequr rregullin për mbajtjen e maskës në dyqane, kërkesë e ardhur nga Meklenburg-Pomerania Perëndimore, një prej landeve më pak të prekura nga COVID-19 në Gjermani.