Është prezantuar sot në mesditë projekti i zbatimit të Rrugës së Arbrit. Pas fjalës së ministrit Gjiknuri, ku edhe nënvizoi rëndësinë e kësaj rruge u prezantua më pas i gjithë projekti nga Tirana deri në Dibër.
Inxhinieria e projektit tregoi edhe vendet ku do të kalojë ky aks, tunelet që do të ndërtohen, vlerën totale financiare të projektit, si edhe kohëzgjatjen e punimeve.
Projekti i Rrugës së Arbrit
“Gjurma e Rrugës së Arbrit njihet si gjurma e vjetër e Karvanëve që ka lidhur Tiranën me Dibrën
Rruga e Arbrit ka një gjurmë të drejtpërdrejtë Tiranë- Dibër dhe ajo kalon në Tiranë, Shkalla e Tujanit, Qafë- Murrizë, Guri i Bardhë, Ura e Vashës, Plani i Bardhë, Bulqizë, Dibër;
Gjurma e Rrugës së Arbrit sipas propozimit do të jetë: Tiranë- Bulqizë 50 km dhe Tiranë- Bllatë 74 km;
Rruga e Arbrit fillon në periferi të pjese verilindore të qytetit të Tiranës dhe me 1.15 km ndjek një gjurmë të re deri te Ura e Brrarit, nga Ura e Brrarit deri në Zall-Bastar me një gjatësi 5.2 km, parashikohet plotësim dhe përfundim i punimeve;
Nga Zall-Bastari te Ura e Vashës është segmenti më i rëndësishëm rreth 22.9 km, më i gjati si segment që kalon në një territor të vështire nga ana topografike. Në këtë segment parashikohen të ndërtohen edhe veprat më të mëdha të artit. Parashikohet të ndërtohen Tuneli i Murrizit me një gjatësi 3.25 km dhe dy ura të mëdha, ura në fshatin Fshat dhe ura në dalje të Urës së Vashës;
Në këtë pikë lidhet me Klosin me një segment 3 km e cila do të lidhë qendrën e banimit të Klosit dhe rrethinat përreth me Rrugën e Arbrit
Më pas nga Ura e Vashës deri në Bulqizë me një gjatësi rreth 9.6 km do të vazhdojë plotësimi dhe përfundimi i të gjitha punimeve të nisura dhe i Tunelit të Bulqizës;
Nga Bulqiza deri te Ura e Cerenecit 20.2 km, rruga përshkohet në segment nga investimet;
Nga Ura Cerenecit në Bllatë 9.11 km, kemi një gjurmë të re rruge;
Nga Bllata lidhemi me pikën kufitare më të afërt me Maqedoninë me gjatësi 600 metër dhe me Maqellarën prej 2,4 km;
Vlera ndërtimore totale e këtij projekti do të jetë rreth 33.6 mld lekë nga të cilat 31.4 mld do të jenë investim për ndërtimin e të gjithë veprave të artit dhe 2.2 mld do të jenë investim për mirëmbajtjen e rrugës dhe për operim tuneli;
Afati në kohë i ndërtimit të veprave të artit do të jetë 44 muaj dhe afati kohor për mirëmbajtjen dhe operimin e tunelit 111 muaj;”/SCAN