Aktualitet Rruga Kukës-Morinë gati përpara sezonit turistik, Balluku e Qato inspektojnë punimet

Rruga Kukës-Morinë gati përpara sezonit turistik, Balluku e Qato inspektojnë punimet

Punimet në rrugën Kukës-Morinë do të përfundojnë përpara nisjes së sezonit turistik në mënyrë që të lehtësohet qarkullimi i turistëve të cilët zgjedhin Shqipërinë për të kalua pushimet verore.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga drejtoresha e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato inspektuan kantieret ku po kryhen punime përgatë rrugës, ku u njohën nga afër me problematikët që janë ndeshur gjatë ndërtimit si dhe masat për eleminimin e tyre.

“Ka pasur një vonesë, një vështirësi për shkak se asnjë lloj vinçi që ekziston në rajon nuk e merrte përsipër dhe kontraktori është detyruar të prodhojë një vinç enkas për t’i transportuar nga viaduktet e dubluara për t’i hedhur në viaduktin që po dublohet. Vështirësia kryesore ka qenë se ky viadukt është me pendencë, ka pjerrësi gjatësore dhe duhej të balancohej vinçi se çdo luhatje sado e vogël dilte çdo gjë jashtë kontrollit”, ka shpjeguar njëri prej inxhinierëve të ARRSH-së.

Tashmë edhe kjo situatë është kapërcyer dhe përfaqësuesi i kompanisë që po realizon punimet siguroi se ritmet e punës janë të larta për të bërë të mundur dorëzimin e objektit në afat.

“Siç shikohet është hapësira e fundit e këtij vijaduktit, pra vështirësitë më në fund kanë përfunduar dhe ne do punojmë me ritme shumë të larta për të arritur objektivin tonë që kjo rrugë të përfundojë brenda afatit kontraktual. Siç do e shikojmë është dhe një kontratë tjetër për rakordimin e vijadukteve, të cilat sot dhe në vazhdim jemi duke punuar me asfaltimin e hyrje-daljeve”, deklaroi përfaqësuesi i kompanisë kontraktuale.

Nga ana e saj, drejtoresha e ARRSH-së, Sonila Qato tha se financimi për përfundimin e punimeve është i plotë dhe tashmë i buxhetuar dhe se punimet nuk do të ndalen deri në përfundimin e tyre.

“Këtu flitet për rehabilitim dhe vënien në funksion të mjeteve dhe të përdoruesve të rrugës në 12 kilometra, të cilat neve synojmë që ti vënë më punë sa më shpejt. Sigurisht dhe këtu kemi pasur disa probleme teknike të cilat jemi duke i shikuar me specialistët tanë në Autoritetin Rrugor Shqiptar për t’i kaluar me qëllim që të mbajmë ritmin e punës njësoj si dy viaduktet e tjera që janë duke u ndërtuar më tej dhe për ta hapur këtë segment rrugor në fillim të sezonit turistik”, deklaroi Qato.

Ministrja Balluku kërkoi nga përfaqësuesit e firmës kontraktuale përfundimin brenda afateve të parashikuara të punimeve duke e vënë theksin tek rëndësia e këtij aksi veçanërisht në sezonin e verës për qytetarët e Kosovës të cilët i drejtohen bregdetit shqiptar.

“Ju duhet të bëni të pamundurën për të kapur afatet. Ky është një aks kombëtar shumë i rëndësishëm. Do ishte mirë që gjatë sezonit kjo pjesë të ishte dorëzuar për të mos krijuar dhe probleme në trafik i cili vjen dhe nga Kosova apo edhe vizitorët që janë shtuar kohët e fundit dhe vijnë në zonën e Kukësit”, u shpreh Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se pavarësisht vështirësive teknike që paraqet projekti është e rëndësishme bashkëpunimi i të gjitha institucioneve në mënyrë që punimet të përfundojnë në afat.

“Sigurisht vështirësia e këtij projekti është e njohur edhe nga Autoriteti Rrugor Shqiptar edhe nga ministria, megjithatë një përpjekje e përbashkët e të gjithë institucioneve për të kapërcyer këtë vështirësi teknike dhe për ta mbaruar sa më shpejtë dhe në afat mundësisht projektin është shumë e rëndësishme për të gjithë ne”, theksoi ministrja Balluku.

Krahas dublimit të urave, në aksin Kukës-Morinë është duke u punuar edhe sa i takon masave mbrojtëse inxhinierike si dhe sigurisë rrugore për të bërë këtë rrugë më të sigurtë për të gjithë përdoruesit e saj.