Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku është shprehur se aludimi që vrasja e 42-vjeçarit, Egli Proga është fshehur nga Komisariati i Pogradecit, është i pabazë dhe si të tillë, e ka cilësuar “skandaloz”.
Rrumbullaku ka shtuar se në asnjë rrethanë, asnjë nga punonjësit e policisë nuk ka tentuar që të fshehë ngjarjen e rëndë. Më tej, Rrumbullaku ka thënë se baltosja e Policisë së Shtetit në këtë rast është e dënuar moralisht dhe ligjërisht.
Muhamet Rrumbullaku: Ka vijuar një dezinformim lidhur me ngjarjen në Pogradec. Duke shprehur ngushëllimet, ndihem i detyruar të informoj: Aludimi se ngjarja është fshehur nga Komisiariati i Pogradecit është i pabazë dhe si i tillë është skandaloz. Në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë, nga asnjë punonjës nuk është tentuar të fshihet ngjarja e rëndë.
Policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, është ngritur grupi hetimor, janë shoqëruar disa persona që kanë qenë të pranishëm. Janë kryer të gjitha veprimet hetimore. Si rezultat i veprimeve profesionale të kryer nga grupi hetimor u bë e mundur zbardhja e ngjarjes. U arrestua autori bashkë me 3 persona të tjerë për moskallëzim krimi.
Në përfundim, Drejtoria Vendore e Policisë Korçë dha njoftimin zyrtar që për arsye të ndryshme u mohua. Baltosja e Policisë së Shtetit në këtë rast, e dënueshme moralisht dhe ligjërisht. Policia do të marrë hapa ligjorë për të bërë transparencën dhe qëllimin e këtij dezinformimi.