Kryesore Rudi Vata: Panuçi na kujtonte ne si njerëz të prapambetur, Strakosha një...

Rudi Vata: Panuçi na kujtonte ne si njerëz të prapambetur, Strakosha një rast ekstrem!

Shqipëria humbi turpshëm me Turqinë dhe trajneri Kristian Panuçi u largua nga stoli kuqezi. Për momentin, stoli i është besuar Ervin Bulkut dhe Sulejman Memës, ndërsa pas ndeshjes me Andorrën pritet që FSHF-ja të zgjedhë trajnerin e ri.

Ish-kapiteni i Kombëtares, Rudi Vata, në një prononcim ekskluziv për “Vipsport.al”, flet për situatën e fundit te kuqezinjtë, largimin e Panuçit, çështjen e Strakoshës dhe grupin e futbollistëve që ka aktualisht skuadra jonë. Për largimin e trajnerit italian ai thekson: “Ishte një vendim i drejtë. Nuk kishte çfarë prisnim më nga ai trajner. Panuçi duhej të ishte larguar nga drejtimi i Kombëtares, sepse nuk kishte perceptimin e duhur për ta udhëhequr këtë ekip.

Panuçi na kujtonte ne shqiptarët si njerëz të prapambetur, si 30 vite më përpara, ndërkohë që gjërat kanë ecur. Ishte jashtë realitetit. Në një analizë të ndeshjeve të Shqipërisë në drejtimin e tij, kuptohet lehtë se duhej larguar. Në dy ndeshjet e fundit në shtëpi, me Skocinë dhe me Turqinë, ka pësuar dy humbje, ka pësuar 6 gola dhe nuk ka shënuar asnjë. Kuptohet qartë se nuk ishte njeriu i duhur për të drejtuar kombëtaren. Bilanci i ndeshjeve që ai na ka drejtuar, është negativ”.

STRAKOSHA

Më tej, ish-futbollisti shkodran ndalet edhe te lënia jashtë e Tomas Strakoshës, një vendim që ai e quan ekstrem: “Për mua ishte një rast ekstrem, sepse bëhet fjalë për një nga futbollistët më të rëndësishëm të Kombëtares. Ai kishte një arsye që nuk erdhi në kohë. Ndonjëherë ka situata që edhe Zoti të zbresë në tokë, nuk mund t’i zgjidhë. Shqipëria nuk është Brazili apo ndonjë ekip tjetër i madh që ka nga katër lojtarë për një rol. Për rastin e Strakoshës mund të kishte një formë tjetër ndëshkimi, por jo të lihej jashtë Kombëtares, sepse kështu prishet edhe atmosfera në ekip. Strakosha nuk është një lojtar problematik dhe duhej mbrojtur. Po ta kisha shok skuadre, do ta mbroja”.

NJË MESAZH PËR FUTBOLLISTËT

Vata ka një mesazh edhe për grupin e futbollistëve që ka aktualisht Kombëtarja: “Të gjithë duhet t’i përkushtohen 100% futbollit, siç bënim ne në kohën tonë. E kam fjalën që futbollisti duhet të jetë serioz dhe të punojë fort, duke jetuar 24 orë me futbollin. Vetëm kështu do të arrijë të bëjë karrierë. Nëse që tani e kanë mendjen te selfiet, heqja e vetullave, modeli i flokëve apo jeta e natës a ku e di unë se çfarë, atëherë nuk rritet niveli.

Dua të sjell në vëmendje atë që tregon Rio Ferdinand për Kristiano Ronaldon, për mënyrën e punës së tij të fuqishme që e bëri lojtar të madh. Ferdinand tregon se Ronaldo stërvitej fort edhe pas stërvitjes me ekipin, duke marrë topat dhe duke gjuajtur nga çdo pozicion drejt portës. Punë e jashtëzakonshme. Ju kujtohet Ronaldo si ishte te Mançester Junajtid? Me dhëmbët e shtrembër, me puçra në fytyrë etj. E kishte mendjen vetëm te futbolli dhe stërvitja, jo të selfiet, që tani mund t’i bëjë rehat. Është 34 vjeç dhe shikoni në çfarë nivelesh luan. Dua të them se duhet shumë punë dhe seriozitet në futboll”.

E ARDHMJA

Rudi Vata mendon se Kombëtarja nuk ka balancë për momentin, por për një kohë të shkurtër, nëse punohet mirë, mund të ketë një grup solid, sepse lojtarë ka: “Për mendimin tim, duhen disa muaj apo një vit kohë që Kombëtarja të gjejë atë balancën që në këtë moment i mungon. Duhet gjetur trajneri i duhur dhe kjo është punë e FSHF-së. Lojtarë ka, por e rëndësishme është që ata të zgjidhen me kujdes, të motivohen si duhet dhe në Kombëtare të ketë një atmosferë sa më të mirë, që të synohet një objektiv i caktuar.

Pas një viti mendoj se mund të kemi një grup më solid. Janë larguar lojtarë me peshë, si Cana, Mavraj, Agolli e ndonjë tjetër. Nuk mund të zëvendësohen me piramida. Na duhen mbrojtës qendre me përvojë, na duhen lojtarë anësorë, në mesfushë duhen lojtarë të tjerë. Mbi të gjitha, duhet shumë punë dhe ndershmëri”.