Zgjedhjet për kreun e institucionit të futbollit mund të karakterizohen nga fenomene që, deri më sot, kryesisht janë vënë re në zgjedhjet politike.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-kandidati për kreun e FSHF-së në zgjedhjet e 2010-ës bën me dije se do të jetë një garë e ashpër e financave dhe blerjes së votave.
Rudi Vata tregon edhe nga eksperienca se do të ketë përfaqësues të bashkive që do të tradhtojnë urdhrin e “shefit të madh”.
Sa u përket kandidaturave, ai shpreh respektin dhe dëshirën personale për fitoren e Finos, ndërkohë që uron presidentin aktual që të tërhiqet dhe të mbyllë karrierën e tij në futboll.
Armand Duka dhe Bashkim Fino kanë zyrtarizuar kandidaturën për zgjedhjet në FSHF. Cili është komenti juaj?
Unë nuk e kam menduar që Armand Duka do të kandidojë. Kam menduar që ai do ta mbyllë karrierën e tij me FSHF-në. Kam menduar gjithmonë që, edhe për të mirën e futbollit, edhe për të mirën e vetë presidentit Duka, do të ishte që ai të largohej dhe t’i hapej rrugë një njeriu të ri, me ide të reja, me vizion të ri dhe me platformë ndryshe, me objektiva të qarta dhe me qëllime të vërteta në futboll. Sepse për hir të së vërtetës, futbolli shqiptar ka pasur shumë probleme dhe vazhdon të ketë. Para tre-katër ditëve, një mik i imi më pyeti: “Pse nuk konkurron?”
Dhe përgjigjja ime ishte: “Nga eksperienca që kam kaluar, kam mësuar aq shumë, saqë ndoshta njeriut i duhen shumë vite për ta mësuar të njëjtën që unë mësova në ato tre-katër javë që kalova në Shqipëri. Që nga ai moment që unë kam qenë pjesë e kandidimit, normalisht kam kuptuar që në Shqipëri nuk ka njerëz që e duan me të vërtetë sportin dhe futbollin në veçanti. Çdo gjë është e lidhur me interesat personale. Duke qenë të lidhur me këto, është i mbledhur mjerimi dhe vuajtja si ato punët e Migjenit. Aq i trishtuar, aq i mjeruar dhe aq i varfër është futbolli shqiptar në këto momente që flasim.
Do të ketë një kandidat përballë, një deputet dhe funksionar të lartë të Partisë Socialiste…
Sa i përket Bashkimit, është një person i lirë. Do të më vinte shumë herë më mirë nëse do të vinte një figurë me integritet dhe i nderuar e respektuar në futbollin shqiptar, pasi të kishte bërë edhe karrierë larg Shqipërisë. Është shumë e rëndësishme që të jetë një njeri që ka fituar eksperiencë dhe ka krijuar një emër të mirë, si dhe ka kuptuar se si funksionon futbolli i vërtetë profesionist në të gjitha mënyrat. Fatkeqësisht, nuk ka dalë një figurë e tillë. Ama, Bashkimi ka të gjithë të drejtën e Zotit për të konkurruar si njeri i lirë, siç është edhe Armand Duka.