Deputetja e Partisë Demokratike, Rudina Hajdari nga foltorja e Kuvendit tha sot, se askush nuk mund ta gjykojë vendimin e saj për të mbajtur mandatin e deputetit për të qëndruar në Kuvend, dhe se do sjellë një model të ri në politikë.
“Do hedh hapa të sigurtë larg politikës së vjetër. Vendime që i përkasin të ardhmes së Shqipërisë. Do vij me propozime të qarta për ta kthyer vendin në normalitet. Unë qëndrova në Parlament se dua të sjell një model të ri në politikë, që do t’i japë fund njëherë e mirë tranzicionit në Shqipëri”, u shpreh Hajdari, duke ngritur dyshimet se mund të formojë një lëvizje të re politike.
Pwr Rudina Hajdarin, dorëzimi i mandateve për të shpejtuar kalimin e pushtetit është përshkallëzim ekstrem i sjelljes politike të këtyre 20 viteve.
“Ky model i vjetër politik që nuk do t’ia dijë për të ardhmen e të rinjtë duhet të marrë fund. Kjo politikë e mbrapshtë e ekstremiteteve dhe ushqyer nga korrupsioni na ka sjellë në këtë situatë të pazakontë. Nuk ndërtuam kurrë kulturën demokratike. Dorëzimi i mandateve për të shpejtuar një kalim të pushtetit nuk është gjë tjetër vetëm përshkallëzim ekstrem i sjelljes politike të këtyre mbi 20 viteve.
Asnjë nuk mund ta gjykojë vendimin tim. Do bëj hapa të sigurtë larg politikës së vjetër”.
Ajo foli në parlament edhe për protestën e studentëve.
“Këtë herë rinia e zgjoi shpresën e popullit nga gjumi. Në mënyrë të heshtur protesta e studentëve rrezikoi elitën politike. Dalja e studentëve në sheshe në veri dhe jug shkaktoi një metamorfozë politike”, – vijoi më tej.
Rudina Hajdari, vajza e deputetit të ndjerë Azem Hajdari, doli kundër me vendimit të kryetarit të PD-së Lulzim Basha, që i kushtoi përjashtimin nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike.