Rudina Hajdari njoftoi të premten se do t’i bashkohet Nismës Thurje. Më herët, ajo, së bashku me deputetin Ralf Gjoni, patën depozituar në Kuvend dhe një draft të nismës për ndryshime në Kodin Zgjedhor, ku përfshihej dhe ndryshimi i sistemit elektoral.
Ndryshe nga Hajdari, Gjoni nuk duket i bindur për të bërë të njëjtën lëvizje dhe të garojë nën siglën e Thurjes në vitin 2021.
Veprimi i ish-kryetares së grupit parlamentar demokrat, duket se kanë revoltuar deputetët e grupit të saj. Halit Valteri, që më herët kishte deklaruar se ai së bashku me Hajdarin dhe Murrizin do të krijonin një parti, hodhi akuza ndaj Nismës Thurje dhe financimeve të saj okulte, sipas tij.
“Me sa duket, zonja Hajdari s’e gjen veten në kushtet e vendosura te partia e themeluar nga deputet të grupit Parlamentar Demokrat, ku nuk pranohen figura të kompromentuara, bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit, as hajdutët e tenderave dhe kushdo që ka përfituar nga pushteti. Znj.Hajdari e ka zgjedhur rrugën e saj tashmë dhe nderi më i madh që na bëri është se na tregoi se kush është në të vërtetë. Rrugë të mbarë dhe zoti ta priftë mbarë”, shkruan Valteri në Facebook.