Këtë verë shkoni në Gjirokastër. Gjirokastra ju do, do e doni edhe ju më shumë kur ta vizitoni. Prandaj edhe ne po jua tregojmë përmes “Shqiptarët e mrekullueshëm” që t’ua ngulisim në mendje dhe zemër Gjirokastrën e Kadaresë. Por ajo Gjirokastra me shtëpi muze, që mban era gjalpë, byrek dhe petulla nuk është vetëm e Kadaresë, por edhe e juaja.
Ndaj nëse doni të shkoni në jug, mos synoni vetëm detin, ndaloni në Gjirokastër e do t’ju kënaqet zemra e syri. Mos ia lini Gjirokastrën vetëm turistëve të huaj, por shijojeni edhe vetë. Sepse siç thotë edhe kryebashkiaku, Flamur Golemi, është koha për turizëm patriotik.
“Është momenti që të gjithë ta bëjmë këtë me dashuri, për vendin tonë, por edhe për bizneset. Jo vetëm e shijojmë Gjirokastrën, por mbështesim njëri-tjetrin. Është momenti për të vizituar, parë dhe shijuar bukuritë e vendit tonë.”, shprehet Flamuri.
E nëse mbrëmja ju zë rrugicave të Gjirokastrës, do të keni ç’të shihni. Hyni në rrugicën e pazarit që tani është rikonstruktuar dhe ju pret me suvenire të bukura. Gjirokastra nuk njihet vetëm për rrugët me kalldrëm, çatitë apo shtëpitë karakteristike, por edhe për pazarin e mbushur plot me suvenire, që tregojnë gjithë qytetin. E njëri prej tyre ishte mbushur plot me histori, nga Kalaja e Gjirokastrës, te Shtëpia e Zekatëve dhe Kulla e Sahatit, veshjet karakteristike të zonës nuk kanë si të mungojnë. Por gjëja më e bukur është të shihni nën këmbët e tuaja një pus 400-vjeçar.
Dyqani para 100 vjetëve ka qenë kafene dhe uji për të bërë kafet nxirrej nga pusi. Pronarët e dyqanit e dinin që kishte një pus aty, e kërkuan, e gjetën dhe e nxorën para turistëve pa e ndryshuar. Para se të ikni mos harroni të merrni diçka në dyqan, që ta keni kujtim dhe të riktheheni sërish në Gjirokastër.
Por ju do të ktheheni prapë sepse do t’ju mungojë, muzika e bujtinave, mbrëmjeve. Edhe nëse ende mendoni dhe thoni: “S’kam çfarë të bëj po vajta në Gjirokastër”, e keni gabim. Keni bujtina me aromë borziloku, muzikë fizarmonike dhe pamje që të kënaq sytë, ku mund të kaloni një mbrëmje fantastike. Ah, edhe raki, se nuk mund të shkosh në Gjirokastër dhe të mos provosh rakinë.
“Në Gjirokastrës nuk shijohet vetëm historia, por edhe kulinaria.”, rrëfen kryebashkiaku ndërsa bashkë me gazetaren Rudina Xhunga bëjnë gëzuar me raki në dorë, ulur në një bujtinë te pazari. Tani në verë, bujtinat, tavernat, restorantet i gjeni plot dhe po nuk nxituat të shkoni, do t’i gjeni edhe më plot me turistë vendas dhe të huaj.
Ndërsa ecin në një rrugicë të pazarit, Golemi i tregon gazetares se këtë rrugë ia kanë kushtuar të rinjve. Dyert e mbyllura ju presin juve që të hapen. Rrugica e të rinjve ju pret juve që të shkoni dhe të kënaqeni.
“Kur të vish në Gjirokastër dhe të ecësh në ato rrugica me kalldrëm, para se të gjesh vendin e duhur për të ngrënë darkën mos harro të kesh një fustan mëndafshi me vete. Por për këpucë, vish atlete.”, sugjeron Rudina.
E ndërsa mbrëmjen do ta kalosh në rrugicën e të rinjve, me muzikën e bujtinave dhe një teke raki Gjirokastre, mëngjesi nuk të shijon më shumë se në rrugicën e Hotel Gjirokastrës, me diell, lule, reçel qershie, me mjaltë, karkanaqe e trëndafila. Çfarë nuk ka Gjirokastra, të mbush shpirtin, zemrën dhe sytë.
“Oh çfarë arome. Tavan lulesh te Hotel Gjirokastra. Kur të vish në Gjirokastër hajde patjetër këtu. Unë kam ardhur shumë vite më parë, dhe kam ngrënë një mëngjes që më ka mbetur në mendje dhe erdha ta pi kafen këtu. Nuk ishin këto lulet, por ishte përsëri kaq bukur. Në Gjirokastër janë të etur të të presin. Ka njerëz që mendojnë se në Gjirokastër vijnë vetëm të huajt edhe nuk e kanë gabim. Të huajt e dinë çfarë është më e mira jonë.”, thotë Rudina ndërsa sugjeron se tani është koha më e mirë për ta vizituar Gjirokastrën, hotel më hotel, sokak më sokak, rrugë më rrugë, mace më mace, petull më petull, shtëpi më shtëpi, muze më muze. Është e gjitha që ju pret juve këtë verë.
Por nëse shkoni në Gjirokastër dhe nuk ndaloni te furra e Premtos të hani byrekët me gjizë dhe spinaq, zëre se nuk keni shkuar fare. Aty është gjithë lezeti. Të shijosh byrekët 300-vjecarë të Premtoja. Sepse siç thotë dhe Rudina, do të provash byrekët që s’i ke ngrënë ndonjëherë, në asnjë vend tjetër, do të të mbeten në mendje:
“Ju kujtoni se këta janë byrekë, si çdo byrek. Jo, more jo. Këta byrekë janë 300-vjeçarë. Janë modestë gjirokastritët, thonë 1903-shin. Por në fakt në 1903-shin, furra është restauruar. Është 300-vjeçare. Që kur është bërë pazari, është bërë edhe furra. Zjarri ka 300 vjet që ndizet në këtë furrë, dhe bën byrekun më të mirë që keni provuar ndonjëherë, në Gjirokastër, Sarandë, në Korçë, në Vlorë e kudo. Ky zjarri më kujton fëmijërinë, kur shikoja tavat që futeshin te furra e lagjes. Por asgjëkund nuk është ruajtur tradita, ndërsa këtu po.”
Pronarja e Premtos tregon se, në zonën muzeale nuk ka ikur asnjëherë tradita e pjekjes në furrë. Që nga byrekët që ka mbetur si traditë, te bakllavatë, mishrat, bakllavatë për dasma e Vit të Ri. Dhe sekreti i byrekëve nuk është te gatimi, por te pjekja, ndaj të shijojnë kaq shumë.
Pasi keni ngrënë byrekët e Premtos, ju sugjerojmë të ecni rrugicave. Merrni një çantë shpine me vete, vishni atletet dhe ecni sokak me sokak, çati më çati, shtëpi më shtëpi.
Niseni nga shtëpia e Ismail Kadaresë, pastaj shko te Shtëpia e Skëndulatëve, Zekatëve. Bëni mirë ta nisni nga Sokaku i të Marrëve, por kujdes se mos rrezoheni dhe përfundoni në ndonjë çati shtëpie, siç thotë Kadare.
Nëse keni vajtur te Sokaku i të Marrëve nuk ka si të mos doni të hyni dhe shihni shtëpinë e Kadaresë, atij që ia tregoi Gjirokastrën, gjithë botës. Ndërsa hyn në shtëpinë e shkrimtarit të madh, Rudina thotë:
“Kjo është shtëpia e atij që e tregoi qytetin, sepse një qytet mund të jetë, por po nuk u tregua harrohet. Kështu që duhet t’i falësh, të lutesh për Kadarenë, të krenohesh, djalin që lindi në këtë shtëpi, iku mbasi mbaroi shkollën e mesme, për të mos ikur kurrë. Jam e sigurt nuk ka ikur kurrë nga këto dritare, dhe nga kjo derë, ku i tregoi Gjirokastrën, gjithë botës. Unë e kam, intervistuar Ismail Kadarenë në shtëpinë e tij në Tiranë, në Paris, në Izrael. Por më besoni, emocionin që kam provuar këtu te shtëpia ku ai ka lindur s’e kam provuar asgjëkundi. Dhe këtu më erdhën si me jehonë të gjitha. Çfarë më kanë thënë, çfarë kam dëgjuar, çfarë di. Për shembull Robert Elsie më ka thënë në intervistë: “Jeni me fat që shkruani gjuhën e Ismailit, shqipen e Ismailit. Edhe unë këtë shkrova te libri i përshtypjeve, ku shqiptarët e vegjël, shqiptarët e rinj i thoshin: “O yll!”. Yll është në fakt, ylli i Gjirokastrës. Kur kam qenë në Berat thosha, si nuk e pati një Kadare, Berati që ta tregojë. Gjirokastra e pati këtë fat, dhe jo vetëm ajo. E pati gjithë Shqipëria. Ismail Kadare, lindi në këtë shtëpi, për të mos ikur asnjëherë. Këto dritare, këto oda, gjithçka i mori me vete dhe i tregoi në mijëra faqe, në qindra libra, në mijëra gjuhë, njeriu që na bën krenar, njeriu që e duam shumë, edhe që nuk ka si ta dijë sa shumë e duam ne. Kjo është shtëpia e Ismail Kadaresë! Kur të vish këtu, eja për kënaqësinë tënde, eja edhe preke: preke gurin, drurin, prek kujtimet, prek një kohë kur lindi Kadareja i Madh.”
Pasi keni vizuar shtëpinë e Kadaresë, shkoni te Muzeu Etnografik. Ndërsa tregon shtëpinë ku lindi Enver Hoxha, Rudina thotë që e mira është ta tregojmë historinë, të mos e fshehim, të mësojmë dhe përfitojmë prej saj.
“Ky muzeu ku jam këtu është Muzeu Etnografik. Ky muze bashkë me shtëpinë e Kadaresë janë më të vizituarit në Gjirokastër. 28 mijë vetë, të dyja. Quhet Muzeu Etnografik. Por në fakt të gjithë e dinë se është shtëpia e lindjes së Enver Hoxhës. Dhe praktikisht të gjithë të huajt vijnë për të parë atë. E mira është që historinë të mos e fshehësh, ta tregosh si të duash, varet nga koha. Por të mos e fshehësh. Tregojë historinë tënde, se përveçse mëson edhe shet, përfiton.”
Kthehu edhe te Shtëpia e Zekatëve, se të pret një mrekulli. Kartolina e Gjirokastrës të merr mendjen, si jashtë dhe brenda.
“Se mos vjen në Gjirokastër dhe nuk vjen te Shtëpia e Zekatëve, se kot që ke ardhur atëherë.”, thotë Rudina.
Pas gjithë këtyre gjërave të reja që patë e mësuat, mirë do të bënit të pushoni pak. Dhe ku më mirë se te Hotel Kodra, ku do të shijoni edhe oshafin e Gjirokastrës.
Por ndoshta do të marroseni edhe ju si Rudina dhe do të uleni mbi çatitë e shtëpive dhe hani oshafin me fik të Gjirokastrës. Kjo është e bukura e këtij qyteti, mund të hash oshaf në maj të çatisë dhe askush të mos mendojë se je i marrë./dritare.net