Policia është përplasur me dhjetëra mijëra protestues antiqeveritarë në mbarë Rumaninë.
Një turmë mes 30 mijë e 50 mijë personash, përfshi edhe shumë të riatdhesuar, morën pjesë në protestat mbarëkombëtare, sipas asaj që theksojnë mediet vendase.
Disa prej protestuesve në kryeqytetin rumun, Bukuresht, hodhën shishe dhe pllakat e rrugës kundrejt efektivëve të policisë, ndërsa këta të fundit u kundërpërgjigjën me përdorimin e gazit lotsjellës, sprait djegës e madje edhe hedhëseve të ujit.
Rreth 100 protestues iu nënshtruan kujdesit të nevojshëm shëndetësor, sikurse edhe 10 policë morën ndihmën e parë sipas shërbimeve të emergjencave. Një grup protestuesish u përpoqën të çanin rrethimin dhe të hynin në ndërtesën qeveritare në Bukureshtit, por u zmbrapsën nga kordoni i sigurisë së policisë.
Disa të tjerë mbanin flamuj rumunë e atë të Bashkimit Europian, teksa thërrisnin slogane të ndryshme e u binin daulleve. Protestuesit kërkuan dorëheqjen e qeverisë, pasi kundërshtojnë përpjekjet e perceptuara prej tyre për dobësimin e sistemit të drejtësisë, përpjekje këto nga socialdemokratët (PSD) në pushtet, sikurse edhe për pagat e ulëta dhe korrupsioni i shtrirë gjerësisht në vend.
Protesta kundër partisë në pushtet PSD janë zhvilluar prej muajsh në Rumani. Në korrik, presidenti Klaus Iohannis miratoi shkarkimin e prokurores antikorrupsion, Laura Codruta Kovesi, e cila po udhëhiqte hetimet ndaj politikanëve lokalë e qendrorë për ryshfete. Presidenti Iohannis ishte vënë nën një presion gjithnjë e në rritje nga qeveria e PSD-së për të pranuar shkarkimin e saj.
Rreth 150 mijë shtetas rumunë u mblodhën në Bukuresht vitin e kaluar, pasi qeveria kaloi një dekret që do të mund të lironte të burgosurit e dënuar mbi akuza për korrupsion. Shumë shtetas rumunë të tjerë kanë ardhur nga emigracioni për t’iu bashkëngjitur protestave.
Sipas Bankës Botërore, rreth çereku i popullsisë së Rumanisë – afro 3-5 milionë banorë, – jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, duke kthyer mbrapsht në vendlindje rreth 5 miliardë dollarë, në një nga vendet më pak të zhvilluara të Bashkimit Europian.