Forcat ruse bombarduan këtë të mërkurë një teatër brenda të cilit ndodheshin me qindra persona. Sulmi ndodhi në qytetin e rrethuar të Mariupol dhe u konfirmua nga nënkryetari i bashkisë së qytetit port, i cili vijon të jetë nën terrorin e sulmeve të vazhdueshme ruse.
Sipas BBC, Serhiy Orlov tha se brenda ndërtesës ishin të strehuar rreth 1200 persona. Numri i viktimave deri më tani nuk dihet.
Mariupol është i rrethuar prej forcave ruse dhe rreth 300 mijë persona mbeten të izoluar pa ujë, pa drita apo gaz. Ushqimet dhe medikamentet janë drejt fundit dhe Rusia nuk ka lejuar dërgimin e ndihmave humanitare.
Që prej nisjes së luftës, qyteti ka qenë nën bombardimin e vazhdueshëm rus. Me lagje të tëra janë shndërruar në djerrina. Javën e shkuar, sulmi në një spital fëmijësh dhe maternitet i mori jetën 5 personave.
Orlov tha se Rusia sulmoi po ashtu një autokolonë civilësh të cilët ishin larguar nga Mariupol drejt qytetit të Zaporizhzhia, duke plagosur 5 civilë, përfshirë një fëmijë.