Aktualitet Rusët sulmojnë me lëndë kimike ushtarët shqiptarë në Uzinën e Armëve të...

Rusët sulmojnë me lëndë kimike ushtarët shqiptarë në Uzinën e Armëve të Gramshit

Ushtaret e plagosur

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e kësaj të shtune në Uzinën ushtarake të qytetit të Gramshit.

Sipas televizionit “News 24”, dy shtetas rusë kanë sulmuar ushtarakët roje të këtij objekti.

Të dyshuarit i kanë hedhur mjete djegëse dhe lëndë kimike ushtarakëve të cilët kanë qenë në ruajtje të kësaj qendre strategjike. Ata kanë mbetur të lënduar.

Ushtarakët e dëmtuar janë dërguar në Tiranë për një mjekim më të specializuar.

Shtetasit rusë pasditen e sotme janë parë me aparate fotografike dhe kanë hyrë nga muret e uzinës pa urdhër duke bërë foto.

Ushtarakët i kishin parë këta dy persona dhe u kanë shkuar për t’u bërë ndalesën dhe shoqërimin e tyre. Por ata janë kundërpërgjigjur duke i sulmuar me lëndë kimike.

Sipas banorëve të zonës shtetasit rusë kishin të paktën dy ditë që e monitoronin Uzinën Ushtarake, me harta dhe pajisje të tjera teknologjike.

Uzina Mekanike Gramsh është një ndërmarrje shtetërore, e themeluar në vitin 1962, me qëllim përmbushjen e kërkesave të Forcave të Armatosura Shqiptare për armë këmbësorie.

Kombinati ndodhet në fshatin Çekinë në Komunën Pishaj, 4 km pranë qytetit të Gramshit. Uzina Mekanike Gramsh, u ndërtua dhe filloi aktivitetin e saj në vitet 60–të.

Momentalisht UM Gramsh po vazhdon me projektin e demontimit të armatimeve të tepërta, dhe riparime të armëve ekzistuese por në të ardhmen po mendohet që të rinovohet linja e prodhimit dhe të nisë prodhimi i armëve të këmbësorisë për të cilat UMG ka licencë.