Trupat ruse janë tërhequr plotësisht nga rajonet e Kievit dhe Chernihivit. Konfirmimi erdhi nga Pentagoni, që bëri të ditur se ushtarët e pozicionuar janë tërhequr në Bjellorusi dhe Rusi për t’u rikonsoliduar dhe për të riparuar mjetet e dëmtuara.
Zëdhënësi John Kirby tha se presidenti Putin nuk kishte arritur asnjë prej objektivave të tij strategjike dhe se Ukraina mund ta fitonte luftën.
“Ai ka zhvendosur forcat nga Kievi dhe Chernihivi. Ata nuk e kanë pushtuar dot Kharkivin dhe as Mikolaivin në jug. Ukrainasit po luftojnë me guxim për vendin e tyre dhe i kanë mohuar Putinit shumë prej objektivave të tij strategjik. Kështu që absolutisht, ata mund ta fitojnë luftën”, tha Kirby.
Associated Press, që citon një zyrtar të Departamentit të Mbrojtjes, tha se të paktën 24 mijë ushtarë janë larguar nga Ukraina. Nga 130 batalionet që janë dërguar në Ukrainë më shumë se 80 mbeten ende në vend e, sipas forcave të armatosura ukrainase, po riorganizohen për një ofensivë në Donbas, në Ukrainën lindore.
Sulmet ajrore dhe me artileri vijojnë në këtë rajon, me Moskën që po përpiqet të godasë aftësinë e ushtrisë ukrainase për t’u rifurnizuar me armë. Mijëra njerëz po tentojnë të largohen nga rajoni pasi autoritetet u bënë thirrje qytetarëve të ikin sa kanë ende mundësi për ta bërë. Përqendrimi i rusëve në rajonin e Donbas, sipas Shteteve të Bashkuara, mund të zgjasë konfliktin përtej asaj që ishte imagjinuar.
Sakaq, mizori të reja të njerëzve të Putinit dalin në dritë. Kryebashkiaku i Irpin, Alexander Markushin, ka pohuar se rusët fillimisht u kanë qëlluar me armë qytetarëve e më pas kanë kaluar me tanke mbi trupat e tyre.
Moska akuzon Kievin se po inskenon krimet e pretenduara të luftës, me ambasadorin rus në SHBA që tha se qytetarët po paguhen me 25 dollarë për të aktruar në skenat e xhiruara.