Çështja më e nxehtë e ditëve të fundit është konflikti Rusi-Ukrainë ku diskutohet mundësia e një sulmi të armatosur ndaj saj. I ftuar në “Rudina” në Tv Klan, gazetari Blendi Fevziu e komenton ngjarjen e Ukrainës në një kontekst më të gjerë historik. Pas lajmit se trupat ushtarake janë tërhequr, Fevziu thotë se ka vetëm lëvizje, por pjesa dërrmuese mbetet ende aty.
Blendi Fevziu: Problemi i Ukrainës me tre fjalë se nuk dua ta zgjas, është një problem që lidhet më shumë me historinë se sa me të sotmen. Në vitin 1988, kur do dezintegrohej Bashkimi Sovjetik, Ukraina ishte pjesë e saj, duhet të themi që nuk ka qenë kurrë shtet i pavarur, është shtet i këtyre 30 viteve të fundit. Ka qenë pjesë e Rusisë cariste, më pas e Bashkimit Sovjetik. Në momentin e dezintegrimit të Bashkimit Sovjetik, mes Bushit dhe Gorbaçovit pati një marrëveshje e cila nuk është bërë kurrë publike sepse është takimi i Maltës, në të cilin supozohej që dezintegrimi i Traktatit të Varshavës, pra largimi i vendeve aleate: Poloni, Hungari, Çeki, Bullgari, Rumani nga Bashkimi Sovjetik nuk do të shoqërohej me anëtarësimin e tyre në NATO.
Dezintegrimi i Bashkimit Sovjetik erdhi shumë shpejt, Rusia e humbi pozitën që kishte, vendet e pavarura që u krijuan: Republika Baltike, Bjellorusia, Ukraina, shprehën ambiciet e tyre për t’u bashkuar me pjesën perëndimore europiane dhe vendosën të anëtarësohen në NATO. Në vitin 2008 kur Presidenti amerikan Xhorxh Bush deshi t’i përfshinte këto vende në NATO, Putin reagoi shumë egër. Ka qenë samiti i Bukureshtit, unë kam qenë atje sepse merrte Shqipëria ftesën për në NATO dhe gjithë thelbi i debateve u përqendrua te anëtarësimi i këtyre vendeve. Që nga ajo kohë, Putini ka deklaruar që nuk mund të lejojë që vendet në kufi me Rusinë të bëhen vende anëtare të NATO-s sepse e quan shkelje të një pakti. Ukraina pretendon që është një vend i pavarur, është realitet i ri dhe ka të drejtën e saj absolute për të marrë vendime.
Më tej, Fevziu shprehet se Putin po kërkon marrjen e një roli drejtues në politikën botërore. Problemit i bashkangjitet edhe territori i Rusisë e vendeve përreth saj, përfshirë Ukrainën, ku një pjesë e konsiderueshme e saj flet rusisht. Rrjedha e ngjarjes është ende e paqartë pasi paraqiten skenarë të ndryshëm, nga të cilët nuk përjashtohet as vendi ynë.
Rudina Magjistari: Nëse do të ndodhte që të ketë një luftë, si do ta prekte Shqipërinë?
Blendi Fevziu: Do ta prekte shumë fort, unë kam vënë re që shqiptarët nuk kishin ndonjë sensibilitet të madh në këtë çështje, do prekte gjithë botën në mënyrë absolute. Gjëja e parë do ishte rritja e menjëhershme e çmimeve: çmimi i naftës do të shkonte në stratosferë, çmimi i drithërave do të rritej ndjeshëm. Mesa pashë unë, Rusia ka një volum jo të vogël të importit të drithërave që Shqipëria bën nga Rusia, diçka më pak nga Ukraina, por sidomos nga Rusia. Gjithë bota do ndikohej, imediate do ishte rritja e çmimeve. E dyta, pak më afatgjatë, do ishte ndryshimi i një rendi botëror, vëmendja ndaj Shqipërisë, ndaj demokracisë së brendshme, vëmendja e BE do ishte shumë më e limituar sepse përqendrimi do ishte i gjithi në Ukrainë. Impakti do ishte i gjithi negativ, në asnjë rast pozitiv.