Aktualitet 45-vjeçari plagos me thikë dy persona, merr peng njërin prej tyre dhe...

45-vjeçari plagos me thikë dy persona, merr peng njërin prej tyre dhe grabit karburantin (VIDEO)

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë pas marrjes se njoftimit se një person i identifikuar si Astrit Pukameka, në afërsi të mbikalimit në rrugë dytësore, ka kanosur se do digjte me benzinë dy persona, dhe ka plagosur me thikë Bardhyl Petjan, si dhe ka marrë peng Arjan Shaun bashkë me mjetin e tij, organizuan punën me qëllim kapjen e këtij shtetasi.

Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të këtij shtetasi, i cili në fshatin Lekaj, në sheshpushimin e një karburanti, ka plagosur me thikë drejtuesin e mjetit që kishte marrë peng, Arjan Shau, dhe më pas i ka marrë me forcë xhiron ditore prej 120.000 lekë të rinj shitësit të karburantit, dhe ka kërcënuar se do të digjte karburantin.

Shërbimet e Policisë kanë arritur në kohë duke parandaluar dhe shmangur një ngjarje të rëndë kriminale me pasoja për jetën. Falë ndërhyrjes profesionale, kanë bërë të mundur neutralizimin dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit: Astrit Pukameka 45 vjeç, për veprat penale “Kanosja”, “Plagosja e rëndë me dashje”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Vjedhja me dhunë”, “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, për veprime të mëtejshme.