Rusia dhe Ukraina bëjnë hapat e para drejt paqes, të përfshirë prej vitesh në një konflikt të përgjakshëm të armatosur.
Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, ndërmjetësuan takimin e mbajtur në Paris që zgjati rreth 9 orë. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe ai rus, Vladimir Putin dolën të kënaqur nga ky samit. Ata arritën marrëveshje për një armëpushim të ri dhe dakordësi të tjera si shkëmbimi i pengjeve.
“U dakordësuam për masa të menjëhershme për stabilizimin e sigurisë në Lindje të Ukrainës, që do të thotë se arritëm një armëpushim të plotë dhe të palimituar në lindje të Ukrainës. Duhet të fillojë në fund të këtij viti”, tha Zelensky.
Ndërsa Putin u shpreh: “Procesi i arritjes së armëpushimit duhet të jetë në sinkron me implementimin e reformave në Ukrainë, që parashikohen në akordin e Minskut. Fillimisht duhet të bëhen ndryshime në Kushtetutën e vendit, për t’i dhënë rajonit të Donabsit një status special të qëndrueshëm”.
Për Macron, rezultati i arritur gjatë këtij takimi ishte pozitiv. Ndërsa Merkel theksoi se ka ende shumë punë për t’u bërë dhe vlerësoi dëshirën e Kievit dhe Moskës për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme.
Konflikti mes dy vendeve në lindje të Ukrainës ka shkaktuar mbi 13 mijë viktima që prej vitit 2014. Ndërkohë, gjatë kohës që po zhvillohej samiti në Paris, në Ukrainë po mbaheshin protesta masive kundër takimit Zelenskiy-Putin.