Autoritetet ruse i kanë dhënë ultimatum kritikut të Kremlinit, Alexei Navalny, duke e paralajmëruar se nëse nuk kthehet menjëherë nga Gjermania, ai do të përballet me burg.
Një kërcënim i tillë ka ardhur, pasi Navalny nuk ka respektuar kushtet e seancës gjyqësore për një dënim të vjetër të lënë pezull.
Opozitari rus ndodhet në territorin gjerman, pasi u helmua me agjentin nervor Novicok dhe u dërgua jashtë kufijve të atdheut të tij për t’u trajtuar. Akuza se Rusia është e përfshirë në këtë incident është mohuar, pasi nuk është gjetur asnjë provë që e lidh Moskën me helmimin e Navalyt.
Megjithatë, zgjimi dhe dalja nga spitali i Berlinit më 20 shtator të Alexei Navalnyt, si dhe raportimi më 12 tetor se të gjitha simptomat e sëmundjes ishin zhdukur, kanë ngritur kritika për mosrespektimin e kushteve gjyqësore.
Shërbimi federal i burgjeve ka bërë me dije se Navalny po shkel një seancë gjyqësore për një rast vjedhjeje, që është lënë pezull për tre vjet e gjysmë. Shërbimet policore nuk kanë bërë publike asnjë afat përfundimtar për shfaqjen e Alexei Navalnyt në seancën gjyqësore të ditës së martë. Megjithatë, opozitari në një postim në twitter ka cilësuar se ai duhet të kthehet dhe të shfaqet në gjykatën e Moskës në orën 9 të mëngjesit.
Sipas autoriteteve ruse, periudha e provës për Navalnyn mbaron më 30 dhjetor dhe pas kësaj date kritiku i zëshëm i Kremlinit mund të përballet me burg.