Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara kanë rënë dakord për të lënë disa banka ruse jashtë sistemit ndërkombëtar të pagesave, SËIFT.
Rrjeti i sigurisë së lartë lidh mijëra institucione financiare në botë.
Vendimi u shpall nga Shtëpia e Bardhë, në koordinim me BE, Gjermaninë, Mbretërinë e Bashkuar, Francën dhe Kanadanë. Sipas njoftimit, vendet aleate u zotuan që bashkërisht ta kthejnë luftën në Ukrainë një dështim strategjik të Vladimir Putin.
“Ky vendim do të bëjë të mundur që këto banka të shkëputen nga sistemi ndërkombëtar financiar dhe nuk do të mund të veprojnë globalisht”, thuhet në deklaratë.
Aleatë gjithashtu zotohen të bllokojnë edhe aktivitetin e Bankës Qendrore Ruse, në mënyrë që të mos përdorë rezervat e saj për të anashkaluar sanksionet e vendosura nga Perëndimi ndaj Moskës.
Aleatët perëndimorë do të kufizojnë gjithashtu aftësinë e rusëve të pasur për të blerë shtetësi në vende të tjera.
“Ne angazhohemi të veprojmë kundër njerëzve dhe subjekteve që lehtësojnë luftën në Ukrainë dhe aktivitetet e dëmshme të qeverisë ruse”, thuhet në deklaratë.
“Në mënyrë të veçantë, ne angazhohemi të marrim masa për të kufizuar shitjen e shtetësisë – të ashtuquajturat pasaporta të arta – që lejojnë rusët e pasur të lidhur me qeverinë ruse të bëhen qytetarë të vendeve tona dhe të kenë akses në sistemet tona financiare.”