Bota Rusia: Nuk është fillimi i luftës, por parandalimi i konfliktit global

Rusia: Nuk është fillimi i luftës, por parandalimi i konfliktit global

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, ka folur për sulmet e Rusisë mbi Ukrainë, këtë të enjte, duke thënë se “operacioni i posaçëm”, siç ai u quajt që në fillim nga Putin, po kryhet për të mbrojtur popullin e Donbasit dhe për të çmilitarizuar Ukrainën.

Më tej, Zakharova u shpreh se këto sulme nuk janë fillimi i luftës, por parandalimi i një situate që mund të çonte në një përplasje ushtarake globale. “Nuk është fillimi i luftës, por fundi i saj në Donbas”, tha Zakharova.

Që prej orës 04:00 të së enjtes, forcat ruse vijojnë sulmet mbi Ukrainë. Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka bërë të ditur në një deklaratë të fundit se deri tani, nga sulmet ajrore, janë shkatërruar 74 objektiva ushtarake të Ukrainës.

Më herët, është raportuar për më shumë se 50 ushtarë të vrarë në radhët e forcave ukrainase dhe më shumë se 10 civilë. Ndërkohë, mediat ruse raportuan edhe për rrëzimin e një avioni ukrainas me 5 persona në bord. Në anën tjetër, Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës, bëri të ditur se ka rrëzuar 3 helikopterë rusë.