Gjykata e Posaçme për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar ka vendosur masën e sigurisë “Arrest shtëpie” për gjyqtaren e Elbasanit, Zamira Vyshkja. Kërkesa ka ardhur nga SPAK pas hetimeve për korrupsion aktiv dhe pasiv në radhët e gjyqtarëve si dhe për moskallëzim krimi.
“Fakti penal i hetuar, lidhet me një rast të korrupsionit aktiv/pasiv në sistemin e drejtësisë (në qytetin e Elbasanit), ku persona të interesuar/familjarë të një shtetasi të arrestuar në bashkëpunim me avokatin mbrojtës, i kanë ofruar gjyqtarit të çështjes një shumë monetare me qëllim favorizim në caktimin e masës së dënimit”, thuhet në një njoftim të SPAK.
Në total, Gjykata e Posaçme ka lëshuar 5 masa sigurie. Në arrest me burg kanë përfunduar edhe Ilir Pashaj, avokati mbrojtës, si dhe dy persona të tjerë, Taulant Ramollari dhe Xhulio Musaj. Po ashtu, është vendosur “arrest në shtëpi” edhe për shtetasin A.T.
Mësohet se Pashaj është ish-gjyqtar i larguar më dorëheqje.
Masat e sigurisë janë ekzekutuar mëngjesin e kësaj të premteje nga policia. Siç ka mësuar gazetarja, Glidona Daci, me vendim gjykate, këtyre personave u janë kontrolluar edhe banesat.
Ngjarja për të cilën akuzohen këta persona ka ndodhur në Tetor të vitit 2021. Sipas asaj që ka mësuar gazetarja Daci, familjarët kanë ofruar 4 milionë Lekë me qëllim lehtësimin e dënimit të të afërmit të tyre të arrestuar.