-Zgjohu!… Shkronjat po vallëzojnë, në pritje për ti renditur siç duhet!… Zgjohu, bija ime! – dhe gjumi ia lë vendin përgatitjes për në shkollë,… bankës së parë pranë mësueses, për të thithur brenda vetes gjithçka që flet shqip, çdo fjalë, çdo mendim, çdo shprehje, çdo lëvizje…
-Sa bukur të flasësh shqip! – pëshpërisja nën zë, atëherë kur mendimet e mia përqafonin gërmat që dilnin ëmbëlsisht nga goja e mësueses time dhe përhapeshin nëpër ajër duke zgjuar dhe qetësinë që zinte vend paqësisht në çdo cep të klasës.
…Unë vallëzoja mes shkronjave e thurja kurora për secilin nga shokët e mi që në heshtje përqafonin mendimet e mia,… dhe rritesha me muzikën e tyre për tu ulur përballë nxënësve të mi, e pushtuar nga dëshira për të folur me gjuhën e shkronjave të klasës sime të parë, për tu folur me gjuhën e mendimeve të mia, për të folur me mendimet e tyre dhe kur ato lodronin e grindeshin me shokët,… për të folur e për tu mësuar atyre SHQIP.
-Sa bukur të flasësh shqip, mësuesja jonë! Sa bukur të flasësh kështu, me mendime e me buzëqeshje, me zërin e gjuhës që na kane përkëdhelur e përshëndetur prindërit tanë, qysh kur kemi lindur! Sa bukur të shijosh shkronjat tona e t’i përqafosh ato fort, sa herë që do të urosh për ditëlindje, e sa here do të shprehësh dashurinë për mirësinë e buzëqeshjen e njerëzve që ti do aq shume!… Sa bukur, mësuese, kur tingëllohet në ajër shqip…
E shpesh dëshiroja të qëndroja mes këtyre mendimeve e fjalëve, duke i bërë motiv të jetës time. Sa shpesh i kam folur vetes me këto shkronja e sa shumë i kam përkëdhelur ato për të marrë dashurinë e tyre!…
Sa e sa herë kam thënë me vete:
-Ejani, e, mos më braktisni kurrë, edhe kur unë të largohem përtej brigjeve të vendit tim, se ju dua e jeni pjesa ime që kur kam lindur!
E përgjatë viteve të mia, jam ndjerë e përkëdhelur se, jam rrethuar me gjuhën time, e këtë përkëdheljen time e kam renditur nëpër faqe librash e magji fjalësh,… kam luajtur me tinguj melodish dhe kam rendur pas magjisë më të bukur, magjisë së gjuhës time!…
Sa bukur të flasësh shqip! Është motivi më i fortë dhe përplasja më emocionuese që më shoqëron në kohë. Se unë jetoj e flas shqip, jetoj me larminë e fjalëve e flas metodologjinë që më ka falur gjuha ime.
E dini?
-Unë jam e pasur, shumë e pasur, sepse pasuria ime janë këto shkronja që më dhurojnë mua pasurinë e gjithë botes, me dhurojnë dashurinë e të menduarit për vete, për ty, për të gjithë ne.
E tashmë, mëngjeseve nuk zgjohem më si fëmijë i klasës së parë, por si një autore që vallëzoj me gjuhën time, e përpiqem të rendis bukur çdo shkronjë në librat e mi,… që brezat që do vijnë, të luajnë me shkronjat ashtu si unë dhe ti futin në sirtaret e tyre të kujtesës, pa dyshuar kurrë se ato do të jenë një ndër vlerat e paçmuara që do i shoqërojnë gjithë jetën,… se ne të gjithë flasim shqip, flasim e luajmë me një prej gjuhëve më të vjetra ne botë, madje edhe me më të vjetrën, flasim me gjuhën e nënës!
EDMIRA XHAFERI