Ekonomi Sa është jetëgjatësia e një kartëmonedhe?

Sa është jetëgjatësia e një kartëmonedhe?

Në jetëgjatësinë e një kartëmonedhe ndikojnë disa faktorë, ndër të cilët veçojmë mënyrën e qarkullimit dhe trajtimin nga përdoruesit. Jetëgjatësia e një kartëmonedhe lidhet edhe me vlerën nominale të saj. Përgjithësisht, prerjet e vogla e kanë jetëgjatësinë 2-3 vjet, prerjet e mesme 3-5 vjet, ndërsa ato të mëdha mbi 7 vjet. Nga pikëpamja e qarkullimit, kartëmonedhat me prerje të vogël më së shumti ngelen nëpër dyqane dhe qarkullojnë disa herë deri në momentin e depozitimit në sportelet e bankave. Rikthimi i tyre në sportelet e bankave kryhet kryesisht kur kartëmonedhat zbehen apo humbasin një pjesë të cilësive të tyre. Kartëmonedhat me prerje të madhe administrohen më mirë nga përdoruesit, duke treguar më tepër kujdes në përdorim sesa për ato me prerje të vogël. Pra, sa më e madhe vlera nominale, aq më jetëgjatë edhe kartëmonedha.

Gjatë vitit 2022, në Bankën e Shqipërisë u përpunuan rreth 100.8 milionë copë kartëmonedha, të cilat u kontrolluan për autenticitet dhe përshtatshmëri për riqarkullim. Numri i kartëmonedhave të papërshtatshme për qarkullim ndaj numrit total të kartëmonedhave të përpunuara gjatë një viti ishte 20.7%, kundrejt 19% në vitin 2021. Kartëmonedhat e dëmtuara janë zëvendësuar rast pas rasti me kartëmonedha të reja të përshtatshme për qarkullim.

Numri i kartëmonedhave të arkëtuara në sportelet e Bankës së Shqipërisë ndaj gjendjes mesatare vjetore të numrit të kartëmonedhave në qarkullim për vitin 2022 rezultoi 0.66. Kjo do të thotë se një kartëmonedhë kthehet mesatarisht më pak se një herë në vit në sportelet e Bankës së Shqipërisë. Ky koeficient është më i lartë për prerjet 500 Lekë, 1000 Lekë (rreth 1.28 dhe rreth 0.98) dhe më i vogël për prerjen 5000 Lekë, rreth 0.16, gjë që tregon se këto të fundit kthehen më rrallë në sportelet e Bankës së Shqipërisë.

Burimi: Banka e Shqipërisë