Pothuajse 16.4 milionë makina prodhohen çdo vit në 104 fabrika në Bashkimin Europian dhe vendet joanëtare – Serbi, Turqi dhe Britani e Madhe, sipas të dhënave nga Shoqata e Prodhuesve Europianë të Automobilave (ACEA).
Nga gjithsej 20 vende ku prodhohen automjete, Gjermania ka ende më shumë fabrika – 24, e ndjekur nga Britania e Madhe me 19, Franca me 12 dhe Italia dhe Spanja me nëntë dhe tetë respektivisht.
Katër prodhues secili kanë fabrikat e tyre në Republikën Çeke, Sllovaki dhe Turqi, dhe nga tre fabrika secila në Belgjikë dhe Hungari. Nga dy fabrika janë në Holandë, Portugali, Suedi dhe Rumani, ndërsa Serbia, Kroacia, Sllovenia, Austria, Finlanda dhe Polonia kanë nga një.
Fabrikat gjermane prodhojnë kryesisht makina që janë origjinale të markave vendase: BMW, Volkswagen, Audi dhe Mercedes Benz, por edhe Škoda dhe Opel/Vauxhall. Ka edhe fabrika për prodhimin e makinave Ford dhe Stellantis dhe një fabrikë për automjetet elektrike Tesla. Megjithatë, disa nga këto marka tani i përkasin kompanive shumëkombëshe, për shembull Opel, selia e së cilës është ende në Gjermani, por është pjesë e Stellantis.
Ngjashëm është edhe në vendet e tjera të mëdha europiane ku dominojnë markat vendase. Në të kundërt, në Republikën Çeke, Sllovaki, Turqi, madje edhe në Austri, prodhohen makina Hyundai, Toyota, Kia dhe në Hungari, Suzuki. Kroacia ka prodhuesin e saj – Rimac Group.
Kur bëhet fjalë për prodhuesit, Volkswagen gjerman dhe grupi shumëkombësh Stellantis, i cili drejtohet si një kompani holandeze e krijuar nga bashkimi i Fiat-Chrysler dhe koncernit francez PSA, kanë më së shumti fabrika të prodhimit të makinave në Evropë. Këto dy koncerne kanë secili nga 20 fabrika për prodhimin e makinave në Europë. Ata pasohen nga Renault me tetë, BMW me gjashtë dhe Toyota me pesë fabrika.