Extra Sa jemi prindër

Sa jemi prindër

Edmira Xhaferi

A duhet të jemi prindër, përpara se të jemi profesionistë, sekush në sferën e tij apo të saj?

Patjetër, por nëse e meritojmë!

Na duhet, por duhet të jemi një, të flasim e shohim brenda tyre në çastet më delikate, tê kuptojmë se vlejmë për një domosdoshmëri që e kemi dhuratë dhe që duhet ta ndërtojmë bukur në një rrugë që është e hapur e na takon vetëm ne.

-Si i ke marrëdhëniet me prindërit?-e pyeta një nxënësin tim që qëndron në bankën e parë.

-Unë, mësuese… – dhe heshti.

Ai nuk foli më, po me sytë e tij u shpreh shumë për një përkushtim që i mungonte e për një familje që nuk e mbante dot ngrohtë.

Ndjeva dhimbje, për një jetë të thyer në copa dhe për një trishtim që fliste në heshtje.

-Po pse duhet? – e pyeta veten, por nuk mora përgjigje. Vetëm e brendshmja ime fliste pa pushim, për një dhimbje që nuk mbaronte e për një palë sy që po vajtonin.

Hodha sytë nëpër klasë duke shëtitur vështrimin tim te fytyrat e gjithsecilit prej nxënësve të mi. Nuk lexohej asgjë, veç trishtim, lot që derdheshin duke filluar nga përbrenda, vuajtje…

Nuk do doja kurrë të isha pjesë e një situate kaq të vështirë dhe e një grupi fjalësh që, më shumë se shkronjat e veta, fliste me forcën e zërit të vet.

Ndalova dhe heshta…

U ndjeva e pafuqishme për të ndryshuar e vetme një realitet që dhemb; dhemb tek unë, te ti, tek gjithkush,… një realitet që vret dhe pa folur me fjalë… një realitet që thërret për ndihmë.

A mundemi?

Sigurisht që po! Së bashku, forca jonë është më e madhe, më e sigurtë, më e fortë, për të ndërtuar gjithçka mbi domosdoshmërinë për të patur më të bukurën në jetë.

EDMIRA XHAFERI

Tiranë, 25 janar 2021